Lajme

Hyseni: Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në grackën e Serbisë

Gazeta10
08 Gusht 2022 - 16:04

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në grackën e Serbisë, raporton Gazeta10.

Hyesni ka thënë se e përkrah plotësisht qasjen e re te Kurtit dhe se ai duhet ta kuptojë se qasja e tij e deritanishme ndaj dialogut ka qenë e gabuar.

Tutje, Hyseni ka thënë se Kurti duhet t’i kthehet formulës dhe platformës që është vendosur nga Qeveria Hoti.

Hyesni ka thënë se Qeveria Kurti ka bërë gabim të madh që ka pranuar të flas për tema specifike.

Ish-diplomati i Kosovës ka thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur, ndërsa Serbia ka kohë e nuk lodhet.

Këtu keni statusin e plotë:

“Jam i interesuar të diskutojmë elementet e marrëveshjes së përgjithshme”, paska deklaruar sot Kryeministri Kurti teksa paska folur për agjenden e mundëshme të takimit të 18 shkurtit me presidentin serb në Bruksel.

Mirë shumë! E përkrah plotësisht këtë qasje të re të Kurtit. Natyrisht, nese ai këte e mendon dhe nëse përfundimisht e ka kuptuar se strategjia e deritashme e dialogut që ka zhvilluar ai në Bruksel ka qenë tërsisht e gabuar.

Kurti duhet përfundimisht ta kuptojë se në dialog duhet trajtuar vetem ate që ka rëndësi primare, e që është arritja e një marrëveshje të përgjithshme me njohje të ndërsjellë, e cila rrjedhimisht dhe, me automatizëm i zgjidhë të gjitha çështjet tjera midis Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta, sepse kjo qasje dialogun e degradon dhe si rrjedhim sjellë forcimin e status-quosë, që është interes jetik i Serbisë dhe Rusisë.

Kurti duhet t’i kthehet fromulës dhe platformës që e kishim vendosur ne gjatë qeverisë Hoti, e cila konsistone në qëndrimin se s’pari duhet të diskutohen elementet e marrëveshjes së pergjithshme duke përfshirë njohjen dhe të nënshkruhet ajo! E Vetëm pas nënshkrimit dhe njohjes do të fillonte zbatimi i zotimeve të marra me marrëveshjen e përgjithshme.

Marrëveshja e përgjithshme i bënë lehtë të zgjidhshme dhe madje tërësisht të parëndësishme shumë nga marrëveshjet e veçanta. Përderisa Serbia insiston se normalizimi mund të vie përmes zbatimit të marrëveshjeve të veçanta, Kurti duhet të insistojë që s’pari duhet të ndodhë normalizimi dhe njohja, e pastaj zbatimi.

Pra është formula serbe ‘përmes zbatimit deri te normalizimi’, ndërsa e jona duhet të jet ‘përmes normalizimit deri te zbatimi’. Qeveria Kurti deri tani ka bërë një gabim të madh që ka pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta. Brukseli ka kohë sa të duash. Nuk lodhet. Edhe Serbia ka kohë sa të duash. Kosova nuk ka shumë kohë për ta zgjidhur këtë problem sepse mosmbyllja e këtij problemi po reflekton shumë keq në zhvillimin ekonomik, në tërheqjen e invstimeve të huaja dhe në shumë fusha të tjera.

Nuk e kuptoj pse Qeveria Kurti është tërhequr nga parimi në dialog të cilin e kemi vendosur në vitin 2020. Prandaj nuk jam shumë optimist që të arrihet asnjë lloj normalizimi me Serbinë përmes marrëveshjeve parciale të cilat edhe ashtu janë vështirë të zbatueshme pa një marrëveshje të përgjithshme dhe njohje.”, ka shkruar Hyseni në llogarinë e tij. / Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.