
Ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Ramizi, i cili ka qenë pjesë e protestës së 10 shkurtit, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje.
Në përvjetorin e 16 të kësaj proteste, ai ka thënë se VV-ja nuk përfaqëson asgjë prej trashëgimisë së atëhershme.
Ramizi, i cili është plagosur në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, ka deklaruar se kjo lëvizje ka ndryshuar shumë.
“Vetëvendosja nuk përfaqëson asgjë prej trashëgimisë së atëhershme, ka ndryshuar rrënjësisht, thelbsisht, nuk përfaqëson asgjë nga ajo që ka qenë atëherë. VV-ja sot është një parti që nuk dallon as pak nga partitë të cilat kanë qeverisur më herët me Kosovën. Ne jemi dëshmitarë të përditshëm për nepotizmin e paskajshëm që është duke ndodhur në institucionet e Kosovës. Është arbitrar uzurpimi edhe vendosja e militantëve nëpër pozitat kyçe udhëheqëse pa as një kriter”, ka thënë Ramizi për “Ekonomia Online”.
Ai ka thënë se në atë kohë VV-ja ka menduar që me Serbinë nuk duhet të bisedohet për çështje politike. “Me Serbinë mund të diskutojmë për çështje teknike siç mund të diskutoj shteti me një shtet. Por kjo ka ndryshua, kryeministri i sotëm para ardhjes në pushtet ka premtuar se ka me zhvillu dialogun me serbet lokal dhe në fund ne kemi parë diçka tjetër. Prej krejt asaj çka nuk ka ndryshu deri në këtë moment është qëndrimi kundrejt Asociacionit dhe unë kisha dashur që këtë qëndrim kryeministri i Kosovës Albin Kurti me qenë konsistont”, është shprehur Ramizi./Gazeta10