
Pas raportimeve të mëhershme për zhvillimet në terren, ekipet tona kanë vazhduar të ndjekin nga afër situatën në një fshat të komunës së Zubin Potokut, ku po zhvillohen gërmime dhe ku dyshohet për zbulimin e varrezave masive.
Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, dyshimet fillestare lidhen me një grup prej 23 personash nga Mitrovica, të cilët dyshohet se kanë qenë intelektualë të fushave të ndryshme, përfshirë profesorë, doktorë dhe inxhinierë.
Nga pamjet e siguruara në terren janë parë mbetje mortore, përfshirë pjesë të gjymtyrëve dhe kafka, pamje të cilat janë vlerësuar si tejet të rënda. Disa prej tyre janë publikuar edhe në faqen zyrtare të Kanal 10, të censuruara me blur për shkak të ndjeshmërisë së materialit.
Autoritetet përkatëse pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të procedurave hetimore dhe verifikimeve në terren, ndërsa ende mbetet për t’u sqaruar identiteti i personave dhe rrethanat e plota të këtyre gjetjeve.
Ekipi ynë do të vazhdojë ta përcjellë këtë rast me informacionet e reja që do të dalin nga terreni dhe institucionet përgjegjëse.