
Përveç një banese të deklaruar, zyrtari i MMPHI’së, Naser Hafizi, i cili u arrestua para një jave, dyshohet se ka në pronësi edhe gjashtë banesa të tjera që s’i ka deklaruar. Katër prej tyre dyshohet se i ka blerë në më pak se një vit. Paga e tij është rreth 850 euro, që për Prokurorinë ka ngritur alarm për këto blerje. Vetë Hafizi ka mohuar se banesat janë të tij. Express sjell një përmbledhje rreth këtij rasti.
Në deklarimin e pasurisë që i kishte dorëzuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në maj të këtij viti, zyrtari i MMPH’së, Naser Hafizi, kishte paraqitur një pasuri krejt modeste. Aty kishte deklaruar se ka vetëm një banesë që e kishte blerë para tri vitesh, edhe atë me kredi.
Por, pasuria e tij në të vërtetë edhe larg modestes. Dyshimet e Prokurorisë janë se i njëjti posedon edhe gjashtë banesa tjera që i ka fshehur, për të cilat tashmë është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi.
Ky urdhër nga Prokuroria erdhi pas aksionit që u zhvillua para një jave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që rezultoi me arrestimin e u.d i Sekretarit të Përgjithshëm, Izedin Bytyqi dhe Naser Hafizit, që është Ushtruesi i Detyrës së Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit te Pellgjeve Lumore
Hafizi u arrestua me të arritur në Aeroportin e Prishtinës të enjten, nën dyshimin për “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Banesa e vetme që e ka deklaruar Hafizi në regjistër, është në vlerë 55 mijë e 600 euro, të cilën ka thënë se ka blerë me kredi në vitin 2021. Sipërfaqja e saj është 93.28 metër katrorë.