Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Katër punëtorë të vdekur, Tahiri kërkon hetim dhe përgjegjësi në KEK

Gazeta10
21 August 2026 - 14:18

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka reaguar pas vdekjes së disa punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), duke e cilësuar situatën si dëshmi të mungesës së përgjegjësisë dhe mbikëqyrjes institucionale për sigurinë në vendin e punës.

Në  konferencën e thirrur  për media, Tahiri kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të parandaluar tragjedi të tjera në KEK.

Sipas tij, vetëm gjatë muajve të fundit jetën e kanë humbur disa punëtorë të KEK-ut. Arben Ahmeti ndërroi jetë më 20 gusht gjatë transportimit të kabllove 6 kV, ndërsa katër ditë më herët, më 16 gusht, humbi jetën Haxhi Gojnovci, teknik i xehtarisë. Më 15 korrik ndërroi jetë Milazim Binaku, pas lëndimeve të marra në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj, ndërsa më 27 shkurt humbi jetën Migjen Sadiku në hapësirat e Termocentralit “Kosova B”.

Tahiri tha se pas këtyre rasteve tragjike qëndrojnë familje të mbetura pa më të dashurit e tyre dhe punëtorë që, sipas tij, kanë dalë në punë për të siguruar jetesën e familjeve të tyre.

Ai kritikoi Qeverinë për mungesë të reagimit dhe përgjegjësisë, duke theksuar se institucionet shtetërore duhet të garantojnë kushte të sigurta pune, veçanërisht në ndërmarrjet publike që janë nën kontrollin e shtetit.

“Kur vdekjet ndodhin në një ndërmarrje publike, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit, ato nuk mund të trajtohen vetëm si raste individuale. Ato kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe hetim të plotë”, deklaroi Tahiri.

Ai kërkoi që Qeveria, Ministria përkatëse, Inspektorati i Punës dhe KEK-u të zhvillojnë inspektime të plota dhe të pavarura, të identifikojnë rreziqet në vendet e punës dhe të forcojnë masat e sigurisë për punëtorët.

Sipas tij, siguria në punë nuk mund të mbetet vetëm në deklarata pas tragjedive, por duhet të garantohet përmes inspektimeve të rregullta, zbatimit të ligjit, parandalimit të rreziqeve dhe llogaridhënies së institucioneve përgjegjëse.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.