Duhet Lexuar

Kievi i zmbraps sulmet e reja ruse me dronë

Gazeta10
25 Korrik 2023 - 15:21

Rusia e kreu një valë të re sulmesh me dronë mbi Kievin, njoftuan zyrtarët rajonalë më 25 korrik, ndërsa Moska tha se e zmbrapsi një sulm ukrainas ndaj anijeve të saj patrulluese në Detin e Zi, mes raportimeve se Shtetet e Bashkuara do të njoftojnë për një pako të re ndihma ushtarake për Ukrainën, në vlerë 400 milionë dollarë.

Të gjithë dronët nga forcat ruse gjatë natës në sulmin e gjashtë ndaj kryeqytetit të Ukrainës këtë muaj, u rrëzuan nga sistemi mbrojtës ajror i Kievit, ka thënë të martën në mëngjes Serhiz Popko, shef i administratës ushtarake të qytetit të Kievit.

“Alarmi zgjati tri orë. Armiku përdori dronë iranianë, Shahed. Ky është sulmi i gjashtë me dronë në kryeqytet këtë muaj. Objektivat ajrore u identifikuan me kohë dhe u shkatërruan sapo iu afruan Kievit”, tha Popko, duke shtuar se nuk kishte viktima apo dëme gjatë sulmit.

Për një sulm të dështuar më dron u raportua edhe në rajonin qendror Cherkasy. Zyrtarët rajonalë nuk raportuan për viktima apo dëme.

Në Moskë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një komunikatë për media se dronët ukrainas tentuan një sulm ndaj anijeve patrulluese të saj në Detin e Zi, por sulmi dështoi.

“Forcat e armatosura ukrainase e kryen një sulm të pasuksesshëm gjatë natës me dy dronë detarë në anijen patrulluese ‘Sergei Kotov’”, tha Ministria ruse, duke shtuar se sulmi i dyshuar ndodhi rreth 370 kilometra larg portit Sevastopol.

Ky pretendim nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Sergei Kotov është njëra prej anijeve më të reja luftarake të Rusisë, pasi iu dha marinsave vitin e kaluar.

Pavlo Kyrylenko, guvernator i rajonit lindor të Ukrainës, Donetsk, tha të martën në mëngjes se numri i viktimave nga një sulm në qytetin Kostyantynika të hënën, është rritur.

Dy njerëz – përfshirë një djalosh 10-vjeçar – u vranë dhe shtatë të tjerë, përfshirë katër fëmijë të moshës mes pesë dhe 12 vjeçe, u plagosën nga granatimi i një rezervari uji ku njerëzit po laheshin, tha Kyrylenko, duke shtuar se në sulm ndaj civilëve ishin përdorur municione thërrmuese. Ky raportim nuk është verifikuar menjëherë.

Municione thërrmuese, bombat që shpërthejnë në ajër dhe lirojnë copëza të bombës, janë të ndaluara për shkak të rrezikut që përbëjnë për civilët. Në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara njoftuan se i kishte dërguar municione thërrmuese Ukrainës.

Kievi është zotuar se do t’i përdorë me kujdes municionet thërrmuese, dhe vetëm për ta çliruar territorin e vet.

Më 24 korrik, u raportua se dy dronë i goditën ndërtesat në Moskë. Në media u tha se mbetjet u gjetën jo shumë larg zyrave qendrore të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në Telegram se dy dronë “u shkatërruan” dhe e fajësoi ushtrinë ukrainase.

Po ashtu, më 24 korrik, një sulm rus me dron goditi portin në Reni dhe Izmail, qendrat kyçe për eksportimin e drithërave ukrainase në Danub, qindra metra matanë lumit të anëtarit të NATO-s dhe BE-së, Rumanisë.

Ushtria ruse ka kryer sulme ushtarake në Odesa dhe në ndërtesa të tjera ukrainse të eksportimit të ushqimit në ditët e fundit, pasi Kremlini u tërhoq nga marrëveshja e korridorit detar, e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, e cila mundësonte dërgimin e sigurt të drithërave ukrainase.

Kievi e ka akuzuar Moskën se i ka shenjëstruar furnizimet dhe infrastrukturën e vitale për marrëveshjen.

Në fushëbetejë, forcat ukrainase luftuan në 35 beteja në 24 orët e fundit, raportoi të martën herët Shtabi i Përgjithshëm. Tentimet ruse për kundërofensivë përreth Bahmutit në rajonin lindor, Donetsk, u zmbrapsën nga forcat mbrojtëse ukrainase.

Mahmuti u pushtua nga rusë në maj, pas disa muajve luftime të përgjakshme, por kundërofensivat ukrainase në veri dhe jug të qytetit i kanë ndihmuar ushtrisë ukrainase të përparojë në javët e fundit.

Shtetet e Bashkuara pritet të njoftojnë më 25 korrik pakon shtesë me ndihma ushtarake për Ukrainën, në vlerë 400 milionë dollarë, ka thënë një zyrtar anonim për Associated Press.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.