
“Kush (s)garon në këto zgjedhje?” ka qenë tema e së martës në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun ndërsa të ftuar kanë qenë komentatorët politikë, Blerim Gashi, Shqipe Pantina, Fidan Rama, Adrian Çollaku dhe Fatime Hajdari, të cilët kanë dhënë opinionet e tyre lidhur me listat e kandidatëve potencialë për deputetë të partive në vend.
Për listën zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës u tha se kanë një listë konkuruese dhe premtuese për zgjedhjet e shkurtit.
Analisti politik, Blerim Gashi, teksa ka komentuar kandidatët të cilët po garojnë për zgjedhjet e shkurtit, e ka quajtur strategji të përcaktuar mospublikimin emrave nga Lëvizja Vetëvendosje.
Gashi ka përgëzuar guximin e LDK-së për të dalë e para me listën për deputetë.
“Është strategji e përcaktuar nga LVV që të presë deri në momentin e fundit të dalë me emra. Natyrisht që shpreson në atë që mund të quhet elementi i suprizës”, ka thënë Gashi.
Analisti politik, Adrian Çollaku ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është përgatitur më herët për zgjedhjet e shkurtit, duke thënë se ata e kanë një agjendë dhe program në bazë të paralajmërimeve që kanë bërë.
“E kanë një agjendë në bazë të paralajmërimeve që po i bëjnë”, ka thënë Çollaku.
Sipas tij, emrat e publikuar nga LDK janë emra të fuqishëm.
“Arben Gashi është shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, pastaj e kemi Hykmete Bajramin e cila e ka marrë flamurin e kryeopozitarës”, ka thënë Çollaku teksa ka komentuar disa nga kandidatët për deputetë.
Nga ana tjetër gazetari dhe njëherësh analisti politik, Fidan Rama e ka vlerësuar përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë nga rajoni i Prishtinës në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sipas tij, kjo përzgjedhje e kandidatëve është me e forta në raport me të gjitha partitë e tjera politike.
Tutje, ai ka thënë se Lidhja Demokratike e ka deputeten më të zëshme të kësaj legjislature, e cila është Hykmete Bajrami.
“Hykmete Bajrami është një nga deputetet më të vyeshme dhe më të zëshme që ka pasur kjo legjislaturë. Nëse dikush ka bërë debate të mirëfillta e veçoj Hykmete Bajramin”, ka thënë Rama.
Por jo të gjithë u pajtuan me programin e ri të LDK-së. Ishte komentatorja politike Fatime Hajdari, e cila tha se “shumica e programit të partive politike merret copy-paste, mos të themi se shkruhet ose hartohet nga njerëzit e njëjtë”.
Por megjithatë, opinioni i saj u kundërshtua nga komentatorja Shqipe Pantina. Ajo tha se LDK duhet përgëzuar për opinionin e saj.
Në debat e sipër, Hajdari ka theksuar gjithashtu se LDK-ja ka premtime të njëjta me VV-në në programin e saj.
“Në Kosovë veç ka kaluar ndalimi i qeseve të plastikës, ndërsa te ambienti dhe mbrojtja e ka edhe LDK-ja domethenë nuk e kanë marrë mundin as ata me ndryshu”, ka thënë Hajdari.
“A po e sheh qe nuk e paske lexu as edhe një shkronjë, për besë nuk e paske lexu”, ka këmbëngulur Pantina.
Tutje, debati vazhdoi edhe për listat e kandidatëve potencialë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Analisti politik, Blerim Gashi, ka ironizuar me listën e kandidatëve të AAK-së për deputetë, të cilët do të garojnë në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2024.
“M’u duk gazmore se kesh tu e pa duke më dalë këto kombinimet Ardian Gjini i ndihmon Balisë, Balia i ndihmon Ardianit e harrojnë Smajl Latifin, knena ia kallin votat Fatmir Limës”, ka ironizuar Gashi.
Sipas Gashit, kandidat i sigurt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është vetëm Ramush Haradinaj.
“Me këtë kombinim, mendoj se e kalojnë pragun me zor diqysh”, ka thënë Gashi.
Por megjithatë ka qenë analisti politik, Fidan Rama, i cili i është kundërpërgjigjur analistit Blerim Gashit, i cili ironizoi me listën zgjedhore të AAK-së, duke thënë se “këta të fundit e kalojnë me zor pragun”.
“Përtej bindjeve që i ke Blerim, po tingëllon qesharak se kurgja tjetër”, ka thënë Rama.
“Qysh bre qesharak, këtu qet njerëz që janë të dënuar për 53 milionë euro”, është kundërpërgjigjur Gashi.
Sipas Ramës, AAK ka një strukturë të kultivuar që njëzet vjet dhe se opinionet e tilla janë shpikje politike.
“AAK ka një strukturë të kultivuar që njëzet vjet dhe kjo çështja e pragut e kalo, nuk e kalon është më shumë shpikje politike si Zajednica që e keni bërë ju problem”, ka thënë Rama.
Edhe komentatorja, Fatime Hajdari ka vlerësuar se AAK ka një listë me potencialë.
“Për kandidaturat normalisht që premtojnë. Unë mendoj qe reciklimi i fytyrave që kanë qenë më herët është i domosdoshëm. Po pa diskutim që është listë me potencial”, ka thënë Hajdari.
Në ndërkohë në mes të panelistëve u komentuan edhe kandidatët potencial të Partisë Demokratike të Kosovës.
Komentatorja politike, Shqipe Pantina, teksa ka komentuar listën zgjedhore të PDK-së, ka lavdëruar kandidatin për kryeministër, Bedri Hamzën.
“Është kandidu nga PDK sepse supozohet se ka kry punë të mirë si ministër i Financave”, ka thënë Pantina.
Pantina ka theksuar gjithashtu se Bedri Hamza është një nga njerëzit më të përgatitur brenda Partisë Demokratike të Kosovës.
Analisti politik, Adrian Çollaku ka thënë se PDK me listën e sa zgjedhore ka pasur dy qëllime.
“Qysh po e shoh listën edhe në bazë të asaj që i dijmë emrat, këta i kanë bo dy sende. Njëra nga to me rujt klientelën dhe e dyta me i rujtë rajonet”.
Nga ana tjetër, Rama ka thënë se kandidimi i Bedri Hamzës si kryeministër ka arritur të bëjë bashkë PDK-në para zgjedhjeve të shkurtit në Kosovë.
“PDK-ja, ajo që mund të shoh ditëve të fundit është se e ka rikthyer një lloj sentimenti që janë bashkë përkundër diskutimeve të shumta që janë bërë se ka dy-tri grupe që kanë mospajtime”, ka thënë Rama.
Tutje, ai ka theksuar se tregues më i mirë i bashkimit të PDK-së janë edhe kandidatët për deputetë nga diaspora, siç janë Isak Neziri dhe Ragip Xhaka, të cilët sipas tij, kanë bërë punë të jashtëzakonshme në diasporë.
“Ky tregues është parë më së mirë edhe në diasporë. Ne e kemi zyrtarisht të prezantuar Isak Nezirin nga kandidati Bedri Hamza. Neziri është një afarist i suksesshëm që operon në Gjermani dhe është tash e disa vjet pjesë e PDK-së. Mendoj që është një figurë interesante, një figurë e nevojshme për këtë strukturë, i cili ka bërë punë të jashtëzakonshme në diasporë. Pra, Isaku bashkë me Ragip Xhakën do të jenë deputetët e ardhshëm të PDK-së”, ka thënë Rama.
Për listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajdari ka thënë se Glauk Konjufca do të ketë mbështetje të madhe për punën që ka bërë, derisa ka theksuar se edhe ministri i Kulturës ka bërë projekte të mëdha dhe qendra kulturore, të cilat janë ndërtuar në mandatin e tij.
“Mendoj që ministri i Kulturës ka bërë punë të mirë. Ka projekte dhe qendra kulturore të ndërtuara”, ka thënë Hajdari.
Megjithatë, opinioni i saj është kudërshtuar nga Çollaku.
“Thuj që i ka dhanë donacion OJQ-së së vetë”, ka thënë Çollaku.
“Ajo nuk është konflikt interesi”, ka thënë Hajdari.
“Kush ta jep ty drejtën me i dhanë donacion organizatës që ke punuar”, ka thënë Çollaku.
Ndryshe, zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025. Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Për të ndjekur debatin e plotë klikoni KËTU.