Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, në një intervistë për Gazeta10 ka ndarë detaje rreth gjendjes së krijuar nga vërshimet në këtë komunë.
Elezaj tha se që nga dita e djeshme komuna po përballet me reshje të mëdha shiu dhe rritje të ndjeshme të nivelit të rrjedhjeve të lumenjve të Klinës.
“Sipas meje, fokusi kryesor duhet të jetë te lumi i Klinës, pasi rrjedhjet janë në nivel maksimal. Megjithatë, falë investimeve të bëra para dy-tre vitesh, situata aktualisht është më e menaxhueshme,” deklaroi ai.
Kryetari i Klinës bëri të ditur se ka disa shtëpi të përfshira nga vërshimet, por gjendja, sipas tij, është nën kontroll. Ndërkohë, situata më e rëndë paraqitet në zonën e njohur si “Guri i Zi”.
“Tek Guri i Zi, restorantet janë komplet të përmbytura dhe aty gjendja është më problematike,” theksoi Elezaj.
Ai shtoi se ekipet komunale janë në terren dhe po përcjellin nga afër situatën, duke u angazhuar për të minimizuar dëmet dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.




