
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar shkarkimin e ministres së arsimit, Arbërie Nagavcit, raporton Gazeta10.
Përmes një komunikate për media është thënë se Ministria e Arsimit në vend të dialogut ka treguar muskuj para SBASHK-ut.
“Edhe kërcënimi i sindikalistëve grevistë me pasoja, heqja e pagës dhe përpjekja për thyerje të grevës janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare. Në anën tjetër të drejtat e njeriut e humbin kuptimin kur me këtë veprim i shkelni të drejtat e të tjerëve, të nxënësve, në rastin konkret. KMDLNj, në të gjitha reagimet ka deklaruar se greva mbetet mundësi dhe veprim i fundit, vetëm pasi të shterren përpjekjet tjera e që në këtë rast nuk janë shfrytëzuar nga adresa kryesore e pêrgjegjësisë institucionale, qeverisë së Kosovës përkatësisht Ministrisë për Arsim që, në vend të dialogut, ka ofruar muskuj përballë SBASHK -ut, prandaj KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon shkarkimin e ministres, Arbërie Nagavci”, thuhet në njoftim.
Në komunikatën e tyre thuhet se përpjekjet për ndërmjetësim kanë dështuar, përcjell Klankosova.tv.
Përpjekjet për ndërmjetësim kanë dështuar shkaku se Presidentja nuk ishte e paanshme, Avokati i Popullit ishte kundërthënës (sipas SBASHK – ut), kurse kërkimi i ndërmjetësimit ndërkombëtar që edhe dështoi ishte nën çdo dinjitet. Në ndërkohë situata në terren ka filluar të lëvizë duke shfaqur mospajtim me kohëzgjatjen e grevës sikur që edhe presioni qeveritar po ndikon”, thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se nëse nuk do të ketë marrëveshje, atëherë do të shkohet drejtë një situate anarkike.
Më tej, KMDLNj ka akuzuar edhe SBASHK-un edhe Qeverinë e Kosovës për kokëfortësi lidhur me situatën që është krijuar.
“Në situaten e krijuar duhet një zgjidhje e ndërmjetme, as kërkesa e SBASHK-ut e as refuzimi i qeverisë, si ishte deri më tani. Nëse nuk do të ketë marrëveshje, situata dhe qëllimi i grevës do të degradojë deri në masën që të krijohet një anarki. Në përballjen e dy të drejtave të padiskutueshme siç është kjo e SBASHK-ut dhe e nxënësve përparësi ka realizimi i të drejtës së nxënësve sepse prodhon pasoja shumë më të rënda andaj KMDLNj kërkon nga SBASHK -u të tregojë mirëkuptim duke hequr dorë nga kërkesat maksimale për faktin se mosmbajtja e mësimit po prodhon efekte zinxhirore në të gjitha fushat, që nga entet parashkollore e deri te arsimi universitar. KMDLNj thërret që procesi mësimor të fillojë menjëherë në të kundërtën edhe SBASHK do të ketë përgjegjësi konkrete për shkelje të drejtave të njeriut përmes bllokimit të procesit mësimor. Po shterren kufijtë e durimit për prindër dhe nxënës të cilët nuk duhet dhe nuk mund ta pësojnë për shkak të kryeneçësisë së qeverisë dhe SBASHK- ut”, thuhet tutje në komunikatë. / Gazeta10