Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

KMDLNj reagon për tollovinë në Prishtinë, e quan eksperiment të çmendur

Gazeta10
28 October 2022 - 12:19

Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, ka reaguar për tollovinë e shkaktuar sot në komunikacion në Prishtinë, duke e quajtur atë si eksperiment të çmendur, raporton Gazeta10.

Në reagimin e tyre thuhet se të bësh eksperiment në ditën më të ngarkuar të javës është një veprim jashtë logjikës.

Më tej, thuhet se është papërgjegjësi që të nënshtrohen qytetarët në këtë formë.

“Të bësh eksperiment në ditën më të ngarkuar të javës (dita e premte) nuk mund të interpretohet ndryshe përveç se një veprim jashtë çdo logjike apo kontribut për shkaktim të qëllimshëm të kaosit në trafik. Prishtina, edhe ashtu këto rrugë që alkimistët e injorancës po i bllokojnë thuaja tërësisht, i ka dy arteriet kryesore që e bartin peshën e trafikut në qytet prandaj është papërgjegjësi e madhe t’i nënshtroni qytetarët një stresi të tillë duke ua kufizuar maksimalisht lirinë e lëvizjes dhe duke shkaktuar çrregullime në të gjitha segmentet e jetës”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNj-së, kjo situatë krijon një situatë tensionuese teksa janë dhënë edhe disa shembuj që shkaktohen në praktikë.

“Paramendoni nëse dikush, për shkaqe shëndetësore ka nevojë që të shkojë urgjentisht te mjeku apo që autoambulanca e ndihmës së shpejtë duhet të shkojë në një adresë ku një i sëmurë ka nevojë për intervenim urgjent dhe ku jeta e tij matet me minuta e jo me orë? Kush e merr përgjegjësinë për këtë?! Personat e papërgjegjshëm, sigurisht jo sepse, në të kundërtën nuk do të vepronin siç po veprojnë. Sa i punësuar është vonuar për punë apo nxënësi për shkollë për shkak të këtij eksperimenti të çmendur… Ky kaos krijon një situatë tensionuese, më shumë aksidente sikur edhe ngatërresë midis vozitëve, nga fyerjet verbale e deri te përleshjet fizike”, thuhet po aty.

KMDLNj ka vënë në dukje këtë situatë kaq të rëndë duke thënë se kjo shkakton probleme tek qytetarët.

“Ky eksperiment i vë në situatë të rëndë edhe banorët të cilët, për shkak të kufizimeve që prodhon ky eksperiment, nuk mund të lëvizin me automjetet e tyre, as për të shkuar në punë e as për përmbushje të nevojave tjera”, thuhet në reagim. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.