
Pas sulmit të mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla ka reaguar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili sulmin e tillë e ka cilësuar si shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike.
“Ata kanë të drejtën e garantuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm”, tha Konjufca.
Sipas tij sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare.
Konjufca ka kërkuar që organet kompetente të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’i sjellë autorët e sulmit para drejtësisë dhe njëkohësisht i ka dëshiruar shërim sa më të shpejtë Sylës. /Gazeta10/