
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk është i kënaqur me afatin kohor për konvertimin e targave serbe në RKS që ka dhënë Qeveria e Kosovës dhe se shpreson që ky afat do të zgjatet, raporton Gazeta10.
Hovenier ka thënë se nuk ka pasur shumë kërkesa për një proces të tillë deri më tani.
Ai ka shtuar se ky vendim i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.
“Është shumë e qartë se deri më tani nuk ka pasur shumë kërkesa për ta bërë këtë (riregjistrimin e automjeteve). Qeveria e Shteteve të Bashkuara beson se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’u lejuar njerëzve që jetojnë në Kosovë të drejtojnë automjete që janë të regjistruara në Kosovë nuk është një kërkesë e paarsyeshme dhe se ky vendim është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, por ne kemi shprehur shqetësime që në fillim dhe vazhdojmë t’i shprehim për afatin kohor të zbatimit”, ka thënë ai.
Më tej, diplomati amerikan ka thënë se duhet të ketë një zgjatje të afatit kohor për këtë proces.
“Mesazhi për Qeverinë e Kosovës ishte se ne besojmë se duhet më shumë kohë, se nuk jemi të kënaqur me afatin e shkurtër, sepse kjo është e vështirë për njerëzit dhe është e lodhshme, shpresojmë të ketë një zgjatje. Kjo ishte pjesë e bisedës sonë. Nuk mund të them nëse do të ndodhë apo jo, sepse më pyetët se çfarë do të ndodhë, por është vendim i Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai për Rtv Kim. / Gazeta10