Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Kosova ‘ngeli’ në PISA, Opozita: Qeveria ra nga provimi

Gazeta10
06 Dhjetor 2023 - 13:27

Rezultatet e dobëta në testin e PISA 2022, kanë alarmuar partitë opozite dhe shoqërinë civile në Kosovë.

Dy partitë me të mëdha opozitare, PDK dhe LDK për këto rezultate kanë fajësuar Qeverinë e Albin Kuriti.

Sipas tyre, Qeveria ka rënë nga provimi, raporton gazeta10.

PDK dhe LDK të mërkurën kanë mbajtur konferencë të jashtëzakonshme, me ç’rast kanë kritikuar Qeverinë se nuk ka ndërmarrë një hap për reformat në arsim.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha në një konferencë për media tha se me Qeverinë Kurti në tri vitet e fundit, kriza në arsim vetëm sa është thelluar edhe më shumë.

“Nuk mund të presim përmirësim të cilësisë në Arsim, kur Qeveria Kurti me veprimet e saj ka vendosur në pikëpyetje kredibilitetin e pothuajse secilit mësimdhënës në Kosovë. Në vend se, t’u ofrojë mbështetje për zhvillim, të aftësive dhe shkathtësive të reja të kohës, siç kishte premtuar, e për të cilat fëmijët tanë kanë kaq shumë nevojë. Çfarë na dëshmohet ne sot, është që nxënësit ngarkohen me libra e informata sasiore, por jo me zhvillim dhe përgatitje cilësore”, ka thënë Hoxha.

Sipas saj, Ministria e Arsimit jo vetëm që nuk ka bërë reforma në sistemin arsimor, por edhe i ka penguar ato.

Kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti dhe ministres Nagavci për situatën në arsim, kanë ardhur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Sadriu Lushaku, ka thënë se rezultatet e testit të PISA-s flasin për degradim të sistemit arsimor, teksa tha se këto të dhëna janë shqetësuese jo vetëm për Minsitrinë e Arsimit, por edhe për shkollat në Kosovë, raporton gazeta10.

Sipas saj arsimi nuk është prioritet i Qeverisë sepse sipas saj MAShT-i nuk ka bërë asnjë hap në organizimin e shkollave.

“Për të ardhë te rezultatet ose tek analizat e mirëfillta ne duhet të shohim se çka bën MAShT-i sot në arsim. Fillimisht dua të themë se arsimi nuk është prioritet i kësaj Qeverie. Në vitet paraprake kur rezultatet e testit PISA janë publikuar, Vetëvendosje ka bërë thirrje për seanca të jashtëzakonshme. Është pikërisht sot VV ajo që nuk tregon përkujdesin minimal për arsimin. E shohim një ministri që nuk ka bërë asnjë hap në organizimin e shkollave. Shkolla është njësia celulë e organizimit të arsimit. Ku janë shkollat sot? Shkollat sot nuk kanë një sistem të etabluar menagjerial në mes veti, por edhe shkollat përbrenda nuk kanë kapacitete për ta organizuar mësimin ashtu siç duhet”, ka thënë Sadriu Lushaku.

Publikimi i testit të ‘PISA2022’ ka nxit reagime të mëdha edhe nga shoqëria civile, të cilët për këto rezultate fajsojnë mosreformat e nevojshme në arsim.

Kujtojmë që Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.

Kosova ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, pra ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë.

Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë si dhe pozitën e 74-të për matematikë. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.