Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Kosova Republikë”/ Kurti kujton referendumin e ’91-tës

Gazeta10
26 September 2026 - 17:52

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar referendumin e ’91-tës, që u bë për pavarësimin e Republikës së Kosovës.

Në përkim me zhvillimet e asaj kohe, Kurti çmoi vullnetin e shqiptarëve për pavarësi dhe sovranitet, dy vjet pasi Serbia i suprimoi autonominë Kosovës.

“Referendumi i shtatorit 1991 për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, përfaqëson një ngjarje me rëndësi historike, meqë ishte e para herë që populli i Kosovës po deklarohej lirshëm duke shprehur vullnetin e tij për vetëvendosje. Përmes këtij referendumi, populli i Kosovës ia bëri me dije Evropës dhe botës demokratike, aspiratën e tij politike që Kosova të jetë një shtet i pavarur dhe sovran si dhe i barabartë me shtetet e tjera demokratike” shkroi Kurti.

Ky është postimi i plotë i tij:


Kështu dukej një fletëvotim i referendumit të vitit 1991, për Republikën e Kosovës, sovrane dhe të pavarur!

Këto ditë, po bëhen 35 vite prej kur nga data 26 deri më 30 shtator të vitit 1991, në tërë Kosovën u mbajt një referendum demokratik për pavarësimin e Republikës së Kosovës nga Jugosllavia, si shtet sovran dhe i pavarur. Kjo republikë ishte shpallur një vit më parë më 1990, me Deklaratën Kushtetuese të miratuar më 2 korrik në Prishtinë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar më 7 shtator në Kaçanik.

Nga 1 051 357 qytetarë me të drejtë vote, 914 802 prej tyre apo 87.01 % morën pjesë në referendum, kurse 12.9 % apo 136 555 nuk dolën në referendum. Nga këto vota, 913 705 qytetarë votuan për “Po” kurse vetëm 164 votuan kundër me “Jo”, teksa 933 fletëvotime rezultuan të pavlefshme. Kështu, gjithsej 99.87 % e qytetarëve votuan për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, vetëm dy vite pasi Serbia me dhunë ia kishte suprimuar autonominë Kosovës si subjekt kushtetues e njësi konstituive e federatës së ish Jugosllavisë.

Referendumi i shtatorit 1991 për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, përfaqëson një ngjarje me rëndësi historike, meqë ishte e para herë që populli i Kosovës po deklarohej lirshëm duke shprehur vullnetin e tij për vetëvendosje. Përmes këtij referendumi, populli i Kosovës ia bëri me dije Evropës dhe botës demokratike, aspiratën e tij politike që Kosova të jetë një shtet i pavarur dhe sovran si dhe i barabartë me shtetet e tjera demokratike. Kjo nënkuptonte që Kosova duhej çliruar e shkëputur nga Jugosllavia dhe Serbia pushtuese. Kjo aspiratë u realizua tetë vite më pas, në qershor të vitit 1999, pas një dekade të përshkuar nga mosbindja civile dhe rezistenca paqësore, pasuar nga rezistenca e armatosur dhe kulmuar nga lufta e drejtë çlirimtare e popullit tonë, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si bartëse e saj, e ndihmuar më pas nga shtetet aleate të NATO-s, drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Andaj për mot, si sot, i kujtojmë zhvillimet dhe ngjarjet që e shkëputën Kosovën nga epoka e shtypjes dhe dhunës shtetërore, nga eksploatimi ekonomik dhe diskriminimi politik, nga spastrimi etnik dhe gjeonicidi, të gjitha këto të ushtruara nga regjimi i Serbisë ndër dekada të tëra.

Me mirënjohje, nderim e respekt për të gjitha gjeneratat e aktivistëve që e mirëmbajtën përpjekjen dhe angazhimin e popullit të Kosovës për liri e bashkim, pavarësi e demokraci, për shtet dhe përparim!

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.