
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar kandidatët e PDK-së për krytarë të komunave në veriun e vendit, raporton Gazeta10.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të krijojë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.
Krasniqi ka thënë se kandidatët e PDK-së i ka falënderuar për vendosmërinë e tyre për të kandiduar në këto zgjedhje.
Më tej, ai ka thënë se bashkë me ta ka ndarë shqetësimin për tensionet dhe dhunën në veri.
Këtu keni postimin e plotë:
“Takim përmbajtësor me kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, të çertifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të cilët i falënderova për vendosmërinë e tyre për të kandiduar dhe kontribuar në demokacinë e procesit zgjedhor.
Bashkë me Taulant Kelmendin, kandidat për Mitrovicën e Veriut, Albulena Behluli-Hetemin, kandidate për Leposaviq, Izmir Zeqirin, kandidat për Zubin Potok dhe Ilir Pecin, kandidat për Zveçan, diskutuam për përgatitjet lidhur me këtë proces, situatën e tensionuar në veri dhe ndamë shqetësimin për sigurinë e të gjithë qytetarëve atje.
Vetë vullneti i tyre i palëkundur për të kandiduar në këto zgjedhje, është akt patriotik dhe në shërbim të forcimit të demokracisë në Republikën e Kosovës.
Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet kompetente që të krijojnë kushte të favorshme për mbarëvajtjen e këtij procesi, që të jetë i sigurt, demokratik dhe i lirë!
#PDK112”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se në veriun e vendit ka pasur shpërthime sistematike me bomba. Ndërkohë, Qeveria e Kosovës po pregatitet për mbajtjen e zgjedhjeve komunale atje pas tërheqjes së kryetarëve serbë nga institucionet e Kosovës.
Ambasada Amerikane në Kosovë ka thënë që nuk ka kushte për mbajtjen e zgjdhjeve ndërsa presidentja Osmani ka thënë se për dy-tri ditë do të vendoset për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve. / Gazeta10.