Kontaktoni

info@gazeta10.com

Uncategorized

Kryelajmi i javës – punësimi i bashkëshortit të ministres Haxhiu si këshilltar i ministrit Elbert Krasniqi

Gazeta10
19 August 2022 - 14:10

Një nga temat më të përfolura në publik javën që shkoi në Kosovë është emërimi në pozitën e këshilltarit të ministrit të MAPL-së, i një aktivisti të VV-së që njëherësh është edhe bashkëshorti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Bëhet fjalë për ish kandidatin për kryetar të Malishevës nga VV, Alban Krasniqi. Kjo shënoi një emërim të ri që lidhet me familjarë të njerëzve kryesorë të qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti.  

Gazeta 10 siguroi ekskluzivisht kopjen e vendimit të emërimit nga ministri Elbert Krasniqi.

Në pikën 3 të vendimit, thuhet se mandati i Krasniqit tek MAPL zgjatë deri sa të pushojë mandati i ministrit aktual. Ndërkohë, në pikën 4 të vendimit thuhet se Krasniqi nuk do të paguhet nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe “nuk shkakton shpenzime për Buxhetin e Kosovës”.  

Të ardhurat mund të sigurohen përmes donatorëve të ndryshëm të jashtëm të cilët mund të ofrojnë përkrahje të tillë konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim. Por, përjashtim te pagesa bëhet duke u thirrur në Rregulloren për

Përgjegjësitë Administrative të Zyrës së kryeministrit dhe ministrave, ku thuhet se

nëse eprori e sheh të arsyeshme mund ta autorizojë pjesëmarrjen e Këshilltarit të jashtëm në ndonjë udhëtim zyrtar jashtë vendit dhe me këtë rast shpenzimet e udhëtimit do të mbulohen nga buxheti i institucionit, në qoftë se nuk mund të sigurohet financim tjetër.”  

Alban Krasniqi dhe Albulena Haxhiu nuk i janë përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme të dielën, por ministri Elbert Krasniqi e ka hapur telefonin.  

Është ditë vikendi. Bëni pyetjet me shkrim dhe ju përgjigjet kabineti”, ka thënë ministri Krasniqi për Gazeta10

Lajmi u raportua gjerësisht në media

Me tu publikuar ky lajm nga Gazeta 10, u raportua gjerësisht në mediat kosovare si vazhdim i punësimeve familjare e nepotike të qeverisë Kurti.

Dhjetëra media kosovare duke cituar dokumentin e siguruar të Gazeta 10 – raportuan se “vazhdon ende avazi i punësimeve familjare e lidhjeve në qeverinë Kurti”.

Lajmi nxiti edhe reagimin e opinionit publik ndërkohë që nuk pati asnjë reagim zyrtar nga qeveria pos pohimit se “është e drejtë ekskluzive e ministrit se kënd e punëson si këshilltar në cabinet” dhe pohimi tjetër “se  nuk do të paguhet nga buxheti i Kosovës”.

“Kërcënimi” i ministrit Krasniqi ndaj stafit pas raportimit të Gazeta 10

Vetëm disa orë pasi që Gazeta10 e publikoi vendimin për punësimin e burrit të ministres Haxhiu, Alban Krasniqi në Ministrinë e Pushtetit Lokal, një email me tone kërcënuese është nisur në drejtim të stafit të kësaj ministrie.

Në e-mailin e nisur nga Venera Çerkini, sekretare e përgjithshme në ministri, eqë e ka parë Gazeta 10, paralajmërohen punonjësit e kësaj ministrie se do të përballen me pasoja ligjore pas rrjedhjes së dokumentit që e dëshmonte punësimin e Alban Krasniqit në rolin e këshilltarit të jashtëm politik të Ministrit, Elbert Krasniqi.

Siç e dini, dokumentet zyrtare sipas obligimit nuk keni të drejtë t’i shpërndani, ndërsa sot është shpërndarë Vendimi i bashkangjitur sipas Ligjit për Qasje në dokumente publike, MAPL gjithmonë është e gatshme dhe e hapur t’u përgjigjet pyetjeve të parashtruara

P.S – Për këtë rast do t’i njoftoj organet kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore sa i përket kësaj shkelje ligjore.

Gazeta10 dje në mesditë publikoi dokumentin e vendimit të punësimit të Alban Krasniqit, burrit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Ministrinë e Pushtetit Lokal të Elbert Krasniqit.                                                                                

Në reagimin e konfirmuar më vonë nga Krasniqi, thuhet se Alban Krasniqi do të punojë pa pagesë, porse mund të ketë angazhim nga një donator i jashtëm. Vetë ish-kandidati për kryetar të Malishevës dhe ministrja Haxhiu ende nuk kanë dalë me asnjë reagim.

Një javë pas vendimit të ministrit, emri më i ri i këshilltarit të kabinetit të ministrit Krasniqi ende nuk është vendosur në listën e kabinetit të faqen e MAPL-së. Aty figurojnë emra këshilltarësh politikë dhe këshilltarësh të jashtëm, por jo edhe atij i Alban Krasniqit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.