
Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi në linjë direkte për emisionin “Adresa e Ankesave” bëri të ditur se komuna ka përfunduar matjet për të gjitha rrugët dhe është në pritje të përfundimit të procedurave për të filluar asfaltimin në fshatin Plemetin.
Sipas tij, gjendja e rrugëve ishte e rëndë dhe kërkon ndërhyrje urgjente.
“Ne tashmë i kemi bërë matjet për të gjitha rrugët dhe jemi në pritje të zhvillimit të procedurave për të filluar asfaltimin, sepse me të vërtetë janë në gjendje të keqe. Këtë vit planifikojmë të asfaltojmë të gjitha rrugët e fshatit Plemetin. Kostoja e projektit është rreth 560 mijë euro, duke përfshirë edhe lagjen e romëve në Plemetin”, ka deklaruar Thaçi.
Ai gjithashtu njoftoi për një vendim të ri që ka të bëjë me përmirësimin e transportit publik në zonat rurale.
“Sot do të marrim edhe një vendim tjetër – do të fillojmë subvencionimin për kilometër për transportin publik. Shumë fshatra nuk kanë qenë të përfshira për 25 vite. Qeverisja jonë synon ta funksionalizoj transportin publik duke subvencionuar operatorët ekonomikë”, shtoi ai.