Shkruan: Bashmir Xhemaj
Amerika sot është referenca pothuajse e gjithçkaje që simbolizon fuqinë dhe shtetin model të mirëqenies, jetesës dhe mundësive. Çfarëdo që flitet e thuhet për SHBA-të jashtë kufijve të saj, mendohet për politikën e jashtme amerikane dhe diplomatët e saj që në dekada e kanë hartuar dhe zbatuar në praktikë atë. Christopher Hill është njëri nga diplomatët e rrallë që SHBA nxorri në 30 vitet e fundit ndërsa për ne shqiptarët, emri i tij flet më shumë se aq. I tillë sikurse gjatë karrierës – profesionist, i drejtpërdrejt dhe mbi të gjitha njerëzor, rikthehet me librin me kujtimet e tij “Pararojë: Jeta në vijat e para të fronit të diplomacisë amerikane” që u botua në vitin 2015. Në faqet e shumta për Kosovën, na zbulon një ndjesi tjetër, simpatinë e madhe për Ballkanin e veçmas për shqiptarët megjithë të metat e tyre që jo rrallë herë i vë në dukje gjatë librit.
Kur shkruan për Ballkanin, Hill e shpreh hapur lidhjen e kahershme dhe simpatinë me Jugosllavinë që në vitet 70-ta kur i ati i tij, po ashtu diplomat, shërbente në Ambasadën amerikane në Beograd dhe Chrisi kishte kaluar një kohë të jetës aty. Që nga ato vite, kujton Hill, diplomacia e aq më pak Jugosllavia nuk do t’i ndaheshin për pothuajse mbi dy dekada. “Më thoshte shpesh kurrë të mos e shtyja diçka me zor. Nëse nuk është duke funksionuar atëherë ka një arsye” kujton Hill fjalët e të atit. Kjo formulë do të ishte edhe arma e fshehtë e tij në ndërmjetësimin e krizave të shumta në botë, duke nisur nga Bosnja, Kosova, Maqedonia, Koreja e Veriut e Iraku.
Nëna Terezë, Shqipëria dhe Bosnja
Hill zbulon të tjerë bashkëpunëtorë me ndikim të madh në sjelljen e tij prej diplomati dhe karrierën e bujshme ndërkombëtare. Richard Holbrooke, një emër po ashtu shumë i njohur dhe diplomat i dashur për ne shqiptarët, zë një vend të rëndësishëm në kujtimet e Hill. E konsideron ndër bashkëpunëtorët më të afërt nga i cili ka mësuar shumë, por që edhe nuk e kishte të lehtë të punonte me të. “Qasja ime ishte ta mbroja atë nga vetvetja” shkruan Hill teksa Holbrooke kërkonte lojalitet, ose lojalitet të mundshëm por njëkohësisht edhe disa dije a aftësi, veçanërisht ato që ai nuk i kishte. Dhe të dy dispononin dije e aftësi që do ti hynin njëri tjetrit në punë për shumë vite me radhë dhe në konflikte të ndryshme. Para përfshirjes së drejtpërdrejt në Bosnjë, Hill kishte shërbyer shkurt në Shqipëri ku kishte fatin, siç e thotë ai, ta rihapte ambasadën amerikane në Tiranë në vitin 1991 e mbyllur që nga viti 1946 me ardhjen e diktatorit Enver Hoxha në krye të Shqipërisë, që e krahason me Korenë Veriore të Evropës. Më pas kujton telefonatën nga Nëna Terezë dhe kërkesën për takim dhe koordinimin e ndihmave për shqiptarët e shumtë që po e përjetonin rilindjen. Pa asnjë mëdyshje, Hill e përshkruan Nënë Terezën si shqiptare etnike që ishte pothuajse kudo ku duhej ndihma e njerëzve në nevojë. Ashtu siç ishin edhe kolegët e tij amerikanë kudo në botë që në valën e viteve ‘90-92 po rihapnin ambasadat pas rënies së komunizmit dhe shumë vende po e rigjenin lirinë e demokracinë.
Ngjarjet zhvilloheshin më shpejt në terrenin jugosllav se sa diplomacia botërore po lëvizte. Megjithë përpjekjet e para prej diplomacie të shkathët nga Holbrooke për ta përfshirë OKB-në ashtu siç edhe liderët boshnjak shpresonin, nuk u prodhuan rezultate konkrete. Lufta përshkallëzohej gjithnjë në Bosnjë, me shumë viktima pas. Miti dhe përceptimi ballkanas për evropianët dhe lidhjen historike me serbët vetëm sa forcohej tek palët e tjera në konflikt. Dhe një imazh i dëmtuar i evropianëve në kuadër të forcave të OKB-së në Bosnjë domosdoshmërisht kërkonte angazhimin dhe përfshirjen amerikane. Në kulmin e luftës, Hill në kujtimet e veta rishfaq anën njerëzore kur i përshkruan krimet serbe ndaj civilëve si më monstruozet në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore, dinakërinë dhe josinqerittetin e Millosheviqit si dhe paaftësinë evropiane për të zgjidhur një krizë në zemër të saj. Sërish në skenë është “Le Bulldozer” siç francezët e përshkruanin Holbrooke, i cili e bëri të mundur Daytonin të ndodhte dhe e uli Millosheviqin në tryezën e negociatave. Ai pranoi të fliste në emër të serbëve të Bosnjës diçka që e kishte refuzuar për një kohë të gjatë. Për dallim nga Bosnja, për Kosovën ai pranonte të fliste duke e trajtuar si çështje të brendshme të Serbisë. Me të drejtë shkruan Hill, shqiptarët e Kosovës ishin të frustruar që çështja e tyre nuk u përfshi në këtë konference megjithëse shpresonin.
Kosova dhe thyeyja e mitit serb se ‘shqiptarët nuk bashkëpunojnë ndërvete’
Chirs Hill emërohet i dërguari special i SHBA-së për Kosovën pas shërbimit gati dy vjeçar në Maqedoni, periudhë të cilën e përshkruan relativisht të mirë, të qetë dhe që e kishte shijuar me familjen. Problemi I vetëm sipas tij, ishte adresimi ndaj çështjes së emrit, Maqedoni apo FYROM. Për ta evituar keqkuptimin diplomatik, Hill i referohej “Vendi i vogël i bukur” diçka që u pëlqente edhe maqedonasve ta dëgjonin nga goja e një amerikani. Ishte një trik diplomatik i radhës, shkruan ai.
Në përshkrimin për Kosovën, që në kapituj e parë, Hill e demistifikon mitin serb për Betejën e Kosovës në vitin 1389 duke thënë se të gjithë popujt e Ballkanit luftuan kundër Perandorisë Osmane dhe jo siç serbët e propagandojnë se ishin vetëm ata. Si për ta argumentuar tutje, ai përmend luftërat e Skenderbuat për vite me radhë ndaj osmanëve. Shkurtimisht Hill përshkruan zhivllimet ndërmjet atyre viteve deri tek shpërthimi i konfliktit në Kosovë, angazhimi i shkurt dhe i pasuksesshëm i Bob Gelbardit, shpërthimi i depove të armëve në Shqipëri, si ato armë përfunduan në duart e UÇK-së dhe për lëvizjen pacifiste të Rugovës që e përshkruan si Gandin e Ballkanit. Në këtë peridudhë, shkruan Hill, UÇK-ja nuk e bënte ‘hesap’ Rugovën i cili në sytë e publikut po shfaqej gjithnjë i dobësuar dhe në anën tjetër përceptimi për UÇK-në e hermetizuar, që mbante sekret udhëheqësit e saj duke u etiketuar si një organizatë e gueriles markisite dhe përbëhej nga islamistë terroristë.
Kush më mirë se Holbrooke mund ta prezantonte Hillin tek Millosheviqi si i dërguari kryesor amerikan për Kosovën. Pas pranimit të emërimit, kujton Hill, e kishte telefonuar Holbrookun, i cili ishte tërhequr nga aktiviteti dhe merrej me biznes privat, për ti kërkuar ndihmë si dy miq të afërt e të vjetër që ishin. Brenda disa ditësh, dyshja amerikane përfunduan në zyrën e Millosheviqit në Beograd, dhe bashkëbisedimi në kujtimet e Hill është si vijon: “Ambasadori Hill është emëruar si i dërguari i ri amerikan për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhje për krizën e Kosovës” i thotë Holbrooke. “Nuk ka krizë. Janë vetëm disa shqiptarë seperatistë për të cilët i pëlqen të flasë media amerikane. Kosova është pjesë e Serbisë” ia kthen Millosheviqi. Bashkëbisedimi vazhdon edhe për ca, por emërimi i Hillit me apo pa pëlqimin e Millosheviqit nuk do të zhbëhej dhe vendosmëria amerikane u rrit. Pas Beogradit, Holbrooke e Hill arrijnë në Prishtinë për tu takuar me Rugovën që konsiderohej ende përfaqësuesi i aspiratave të shqiptarëve për pavarësi. Aty i propozohet një takim i mundshëm me Millosheviqin, diçka që nuk e merr pëlqimin e Rugovës por ende pa nxjerrë fjalët e para, Holbrooke i propzon takimin në Washington me Presidentin Klinton pasi të ndodhte Beogradi. “Një trik e negociatorit të vjetër” mendova dhe isha i sigurt që Washingotni nuk ishte në dijeni për propozimin. Më 15 maj ndodhi takimi në Beograd, dhe më 28 Maj, Rugova takoi në Zyrën Ovale Presidentin Klinton. Megjithë këto lëvizje diplomatike, situata në terren përshkallëzohej për të keq.
Gjatë kësaj periudhe të “shuttle diplomacy”, Hill e vë në dukje pamundësinë për të takuar strukturat udhëheqëse të UÇK-së të cilat sipas tij fishiheshin ose nuk ekzistonin, dhe gjendjen e rënduar të bashkëpunimit mes Rugovës dhe disa intelektualëve të Prishtinës sikurse Veton Surroi, Rexhep Qosja e Blerim Shala. “Rugova ishte i pavullnetshëm. E takoja çdo javë dhe dukej se më shumë kishte nevojë ti përshkruante gurët që i dhuronte se sa të shfaqte gadishmëri për diçka tjetër” shkruan Hill. Shqiptarët ishin gjithnjë e më të vendosur për pavarësi të plotë, serbët nuk pranon diçka të këtillë ndërsa edhe propozimet e vazhdueshme të Grupit të Kontaktit hidheshin poshtë njëri pas tjetrit. Dhuna rritej ndaj shqiptarëve e veçmas civilëve në Kosovë ndërsa diplomacia po dështonte gradualisht. Masakra e Reçakut, dhe të tjera, sipas Hill, po risillte nevojën e një ndërhyrje ushtarake por që nuk do të ndodhte pa konsumuar edhe një përpjekje tjetër diplomatike, kësaj radhe organizimin e Konferencës së Rambujesë në Francë. “50-50 janë shanset për suksesin e kësaj konference” kishte shkruar Hoolbroke në International Herald Tribune, me shqiptarët që nuk bashkëpunonin ndërvete dhe serbët pa Millosheviqin në krye të delegacionit që nuk e kishin marrë seriozisht. Ndërkohë që ndërmjetësuesit, kujton Hill, synonin që në fund të procesit të siguronin një pranim nga pala shqiptare dhe refuzim nga ajo serbe, për ti hapur mundësinë intervenimit ushtarak. Gjatë negociatave në Rambuje, James Rubin kishte pikëpamjen se lideri i vërtet i delegacionit të Kosovës ishte Hashim Thaçi dhe Sekretarja Albright duhet të fokusoj përpjekjet e saj tek ai. Rubin kishte filluar ti kushtoj vëmendje ekzlusizivisht Thaçit, madje duke shkuar aq larg sa ti rekomandonte edhe çfarë kravatë të mbante. “Por James kishte pikën e saktë për tu fokusuar tek Thaçi si lider i mundshëm, diçka që më disa vite më vonë u vërtetua kur u bë Kryeministër i Kosovës” shkruan Hill. Sa më shumë që afroheshin orët, shqiptarët shfaqeshin më të ndarë dhe pa asnjë qëndrim për marrëveshjen. Thaçi ishte bërë i pakomunikueshëm, e ndryshe nuk shfaqej as Rugova, në ato orë të kritike për fatin e Kosovës.
Ndërkohë që asgjë konkrete nuk dukej, shkruan Hill, së bashku me Ëolfgang Petritschin kishin takuar delegacionin kosovar për t’ua komunikuar se ‘tani e tujte gjithçka ishte në përgjegjësinë e tyre”. Nuk kishin kaluar as gjysmë ore nga takimi, kur shfaqet Veton Surroi, kujton Hill duke kërkuar për një takim të shkurtër me anëtarët e Grupit të Kontaktit pasi ishte ngarkuar nga delegacioni t’ua komunikonte një lajm. Surroi u thotë se në një farë forme shqiptarët e pranojnë marrëveshjen por u duhet të kthehen në Kosovë për të komunikuar me qytetarët dhe bindur ata. Hill kujton të kishte marrë frymë thellë dhe falendëruar Surroin për lajmin e sapo komunikuar. Më 19 Mars në Paris, shqiptarët e nënshkruan marrëveshjen ndërsa serbët e refuzuan. Me 22 mars, Hill së bashku me Holbrookun arrijnë në Beograd në përpjekjen e fundit për ta dëshmuar se diplomacia mund ta shmangte luftën. Edhe pas tetë orë diskutimesh gjatë gjithë natës, Millosheviqi nuk e pranoi marrëveshjen. “Ju jeni superfuqi. Nëse ju dëshironi të thoni që e marta është e enjte, ju mund ta bëni. Nuk ka shumë rëndësi çfarë ne të tjerët themi” citon Hill fjalët e MIllosheviqit. Në mbrëmjen e 23 Marsit ishin larguar të gjithë diplomatët amerikan nga Serbia. Më 24 mars filloi bombardimi i NATO-së. Çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës kanë firmën amerikane. Po aq edhe shtetndërtimi. Millosheviqi në diçka kishte të drejt, e vërteta amerikane ishte e vërteta e të gjithëve. Libri me kujtimet e Chris Hillit është vetëm njëra anë e të vërtetës amerikane për shqiptarët.
Autori është Kryeredaktor i Gazeta 10