
Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar të martën një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.
Sipas Zyrës së kryeministrit Kurti, ai ka biseduar me Bliken rreth situatën aktuale në veri, de-eskalimit dhe normalizimit të asaj pjese të vendit, transmeton Gazeta10.
Në njoftim thuhet se Kurti e informoi Blinken për të arriturat e Kosovës në fushat e ekonomisë, demokracisë e të sundimit të ligjit, teksa e ka falenderuar atë edhe për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të ShBA-së për Kosovën.
“Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte.”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit.
Të dy u pajtuan që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. /Gazeta10