
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se në takimin e sotëm me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hrijstan Mickoski kanë diskutuar edhe lidhur me incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kurti ka thënë se presin që hetimi dhe raporti të sqarojë në plotni dhe hollësi incidentin, që një situatë e tillë të mos përsëritet asnjëherë, shkruan Reporteri.net.
“Shqetësimeve tona iu përgjigjën me keqardhje për atë çfarë ka ndodhur. Presim që hetimi dhe raporti të sqarojë në plotni dhe hollësi incidentin, që në të njëjtën kohë të sigurohemi që një situatë e tillë të mos përsëritet asnjëherë. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë të mira, sepse janë të bazuara në vlerat e përbashkëta që ndajmë dhe me synime të qarta për integrim evropian. Shkëmbimet tregtare janë rritur ashtu sikurse edhe eksportet tona në drejtim të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Kurti.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka paraqitur notë proteste të premten pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, lidhur me këtë inicident. MPJD ka kërkuar kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë.
“Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Sipas Presidencës së Kosovës, sigurimi i aeroportit kishte tentuar t’ia marrë telefonin, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare për mardhënie diplomatike.
Incidenti është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia. Sipas saj, kur Osmani s’ka pranuar ta dorëzojë telefonin, ka pasur tentim të shtyrjes fizike ndaj saj nga ana e sigurimit dhe se është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ta hapur rrugën.
Presidenca ka thënë se ky incident, nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident.