Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti kujton civilët e dëshmorët që u vranë nga forcat serbe në Kaçanik

Gazeta10
09 April 2024 - 12:51

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar 25-vjetorin e masakrës në Rakoc dhe Lagje të Re të Kaçanikut, ku u vranë 32 civilë e më i vjetri ndër ta ishte Nebih Livoreka, i cili i kishte 105 vjet.

Në këtë betejë kishin rënë heroikisht edhe 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).“Në mëngjesin e 9 prillit të 1999, Kaçaniku ishte zgjuar i rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, duke granatuar nga të gjitha anët.

Në mbrojtje të tyre dolën ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u përballur me forcat e armatosura serbe. Në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re, u zhvilluan luftime të ashpra. Në mbrojtje të popullatës civile ranë 28 dëshmorë”, ka shkruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka njoftuar se sot ishin në Kaçanik për t’i nderuar të rënët, të cilët sipas tij, ata lanë pas trashëgimi të guximit dhe dashurisë për atdheun.

“Në këtë datë, nderojmë 28 dëshmorë dhe 32 viktima civile, martirë të vrarë në Rakoc dhe Lagje të Re. Me përkushtimin për ta ruajtur trashëgiminë e luftës çlirimtare, duke nderuar sakrificat e popullit të Kosovës për liri, punojmë me vendosmëri për një Kosovë të paqes, të drejtësisë dhe përparimit”, ka shkruar i pari i Qeverisë. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.