
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se me veprimet e fillimvitit, duke përfshirë arrestimin e qytetarëve nga Kosova dhe rrahjen e politikanëve serbë që mendojnë ndryshe, po vazhdon rrugëtimin drejt metodave të presidentit rus, Vladimir Putin.
Duke folur para kabinetit qeveritar, Kurti ka thënë se arrestimi i qytetarëve të Kosovës është një sjellje e qëllimshme e Serbisë, që bie ndesh edhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Ai ka përmendur edhe rastin e Petrit Dulajt e Nezir Mehmetajt që tash e sa kohë vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Serbi. Kurti ka thënë se Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka kërkuar ekstradimin e tyre, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje nga Serbia.
“Derisa angazhohemi çdo ditë që masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës t’u vie fundi në këtë fillimvit i erdhi fundi masës më të padrejtë e më të gjatë që Bashkimi Evropian praktikisht kishte mbi qytetarët e Kosovës, regjimin e vizave. Kemi qenë shteti i fundit dhe i vetëm në Ballkan e Evropë që nuk ka mundur të lëvizë lirshëm përtej shteteve fqinje. Ai regjim përkundër urimeve e festave premtimeve e kompromiseve, megjithatë i përshkoi të gjitha qeverisë pararendëse. Përfundimit të kësaj epoke duhet ti gëzohemi që të gjithë”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë. /Gazeta10/