
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një tryezë diskutimi ka thënë se sulmet e Serbisë në Banjskë të Zveçanit u kryen nga organizatat e shpallura terroriste nga Serbia.
Tutje Kurti tha se Serbia nuk është e interesuar për bashkëpunim rajonal e anëtarësim në Bashkimin Evropian pasi sipas tij, ajo po punon në plane ushtarake për aneksimin e veriut.
“Më lejoni të përkujtoj se më 29 qershor i kemi shpallur dy organizata terroriste. ‘Mbrojtja civile’ dhe ‘Brigada veriore’ si organizata terroriste që veprojnë në territorin e Kosovës, andaj edhe nëse diçka tregojnë informatat preliminiare, shumica e të përfshirëve në këtë sulm kriminal që rezultoi me vrasjen e rreshterit policor, është se ata ishin pjesëtarë ose të ‘Mbrojtjes civile’ ose të Brigadës Veriore’, ose të të dyjave”, ka thënë Kurti.
Duke folur për Procesin e Berlinit, kryeministri ka deklaruar se është nismë ku kapitali politik e njerëzor, por edhe fonde, janë investuar “në mënyrë që 6-shja ballkanike të afrohet mes vete, por edhe me BE-në”.
“Janë 13 ditë deri në Samit dhe duhet të vëmë re se jo të gjitha vendet në rajon kanë miratuar këto marrëveshje. Është për keqardhje që Bosnja ka zgjedhur të miratojë 2 nga 3, e jo atë për lëvizje të lirë. Procesi i Berlinit duhet të ndihmojë në konsolidimin tonë…Angazhimi ynë në rajon dhe në botë reflekton punën që e bëjmë në shtëpinë tonë. Në dy vitet e fundit Kosova është përmirësuar dukshëm në shumë indekse…Është evidente veçanërisht pas sulmit terrorist të Serbisë kundër Kosovës që mungesa e bashkëpunimit rajonal është për shkak të dallimeve të vrazhda…Serbia po punon në plane ushtarake për aneksimin e territorit tonë. Kjo tregon që fqinji jonë verior nuk është i interesuar për bashkëpunim rajonal e anëtarësim në BE”, është shprehur ai.
Kryeministri Albin Kurtit tha se Serbia duhet të ketë pasoja për këtë sjellje dhe të mbahet llogaridhënëse.