
Raporti: Gresa Bardhecaj
Kur kanë mbetur edhe pak orë deri në hyrjen në fuqi të vendimit për shqiptimin e gjobave për vozitësit me targa ilegale, kryeministri Albin Kurti ka thënë se është koha të veprohet me hapa të mëdhenj në këtë drejtim.
Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se është i gatshëm që propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania të vendoset në tryezë të diskutimeve një orë e më parë.
Por, ai ka kritikuar shefin e diplomacisë evropiane se e ka braktisur marrëveshjen finale, pasi sipas tij, vet BE-ja kishte caktuar afatin që një gjë e tillë të bëhej në mars të vitit 2023.
Kryeministri Kurti ka thënë se shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell në Paris i kishte thënë se propozimi është i BE-së, e jo franko-gjerman.
Derisa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se situata në veri vazhdon të mbetet e tensionuar.
Pas kthimit nga Brukseli, ku nuk ishte arritur marrëveshja për targat, kryeministri Kurti e kishte pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që aplikimi i fazës së dytë të vendimit për targat të shtyhet edhe për 48 orë, e që përfundojnë në mëngjesin e së enjtes./Gazeta10