
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sindikatat kanë inat antiqeveritar teksa i ka quajtur si “Sindikalistët e PAN-it”, dhe ka kërkuar që të fillojë mësimi sa më parë, raporton Gazeta10.
Pasi votoi në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka thënë se nuk duan që të bojkotohet shteti sepse kur shkolla është shteti.
“Duhet që mësimi të fillojë sa më parë. Është dashur të fillojë me një shtator. Jam i bindur që nxënësit duan të shkojnë në shkollë, jam i bindur që prindërit duan që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë, jam i bindur që edhe mësimdhënësit duan të japin mësim nëpër shkolla. Këtë bindje ka edhe qeveria. Nuk duam që të bojkotohet shteti, sepse shkolla është shteti”, ka deklaruar Kurti.
Tutje, ai ka thënë se greva është arma e sindikatave kundër qeverisë dhe se ata janë në shërbim të opozitës.
“Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë”, ka shtuar Kurti. / Gazeta10