Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti takon delegacionin francez, u kërkon anëtarësim në KiE e NATO

Gazeta10
07 April 2023 - 15:16

Kryeministri i vendit, Albin Kurti i ftuar nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, në rezidencën franceze në Prishtinë, mbrëmë takoi një delegacion nga senati francez, anëtarë të komisionit për punë të jashtme dhe mbrojtje, të përbërë nga senatorët Hélène Conway-Mouret, Michelle Gréaume, Olivier Cigolotti dhe administratori i komisionit të punëve të jashtme, mbrojtje dhe forca të armatosura, Benoît Heurtel.

Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen për mundësitë e rritjes dhe avancimit të aktiviteteve të përbashkëta ushtarake, si dhe mbështetje diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe në BE.

Tutje, Kurti falënderoi senatorët francezë për mbështetjen që Republika e Francës i ka dhënë Kosovës përgjatë gjithë etapave, nga çlirimi, pavarësimi, e deri te shtet ndërtimi dhe konsolidimi ndërkombëtar teksa i informoi delegacionin francez rreth zhvillimeve në Kosovë, çështjes së dialogut me Serbinë, si dhe rreth sfidave të aspektit të sigurisë, që kërcënojnë rajonin dhe vendin tonë.

Senatorët francezë u shprehën të kënaqur për progresin që Kosova ka arritur në shumë fusha sidomos në fushën e sundimit të ligjit, rritjes së transparencës dhe forcimin e demokracisë. Ata si përfaqësues të partive të ndryshme politike në kuadër të senatit francez, theksuan se do të jenë të bashkuar në mbështetje të rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Francës dhe Kosovës, me fokus në fushën e ekonomisë, energjisë, mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe mjedisit.

Gjatë takimit, po ashtu u diskutua edhe për sfidat aktuale të sigurisë në nivel global, agresionin dhe invazionin ushtarak rus ndaj Ukrainë dhe pasojat e tij për ekonominë dhe sigurinë e kontinentit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.