
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth problemeve rreth rrugëve Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Podujevë, raporton Gazeta10.
Kurti ka thënë se vonesat po bëhen për shkak se nuk po sqarohen paraprakisht temat e pronave.
“Fillon shtrimi i asfaltit pa u bërë sqarimet e hollësishme për të gjitha pronat. Dhe më pastaj krijohen vonesa të jashtëzakonshme sepse nuk është kryer puna paraprakisht”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se fazat e ndërtimit nuk kanë qenë të qarta dhe se kjo ka ndikuar në problemet e mëtutjeshme.
“Pra, fazat e ndërtimit të një rruge s’kanë qenë të qarta, janë ngatërruar hapat, përfshirë edhe qartësinë deri në hollësi të shpronësimeve është shtruar asfalti e pastaj s’është mundur të shtrohet më tej, pikërisht që janë shfaqur probleme të mëvonshme që është dashur të sqarohen qysh në fillim”, është shprehur Kurti. / Gazeta10