
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ‘Zajednica nuk kalon’ në kryeministri, ani pse e njëjta ka kaluar në parlament. Shefi i ekzekutivit në seancën për dialogun shtoi se nuk ka ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por opozita ka ndryshuar deklarativisht për të mirë. Ai shtoi se Serbia ka dështuar të imponojë zbatimin e ‘Zajednicës’ si parakusht.
Shefi i ekzekutivit tha se “Zajednica” edhe pa u zbatuar në terren ka bërë dëme vetëm si ide që është bërë vendim.
“Unë nuk kam ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por besoj fuqishëm që ju keni ndryshuar deklarativisht për të mirë. Pra, unë nuk kam ndryshuar përmbajtësisht për të keq, por ju keni ndryshuar deklarativisht për të mirë. Konkretisht, këtu sulmet që i përjetova veç po i përmend disa deputetë: Blerta Deliu-Kodra, Arben Gashi, Armend Zemaj, Anton Çuni, Ferat Shala, këta me datën 27 qershor 2013 e kanë votuar ‘Zajednicën’. Më falni, Sala Berisha-Shala, më fal kryetar e heq fjalën. Bëhet fjalë për deputetë që kanë votuar ‘Zajednicën’ më 27 qershor 2013, por tash më kritikojnë mua, sepse këta kanë ndryshuar deklarativisht. Unë s’kam ndryshuar përmbajtësisht”, ka deklaruar Kurti.
Kurti shtoi se koncepti, qëllimi e kuptimi nuk kanë ndryshuar, por strategjia po.