Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kusari – Lila bën thirrje të hapen shkollat nesër

Gazeta10
04 September 2022 - 22:41

Mimoza Kusari – Lila, Deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka bërë thirrje që të hapen shkollat dhe të fillojë procesi mësimor. 

Kusari – Lila, ka thënë se po mohohet e drejta elementare për mësimëdhenie dhe mësimnxënie, transmeton Gazeta10. 

Ajo përmes një statusi në Facebook, ka thënë se arsyetimi që 50 euro nuk janë aq sa i kanë kërkuar, nuk është arsyetim me dënimin që po i bëhet fëmijëve. 

Statusi i plotë: 

Hapni shkollat, le të fillojë mësimi nesër

Agonia e cila po vazhdon për nxënësit lidhur me (mos) fillimin e mësimit, duhet të mbarojë nesër në gjithë Kosovën, pa dallim kush e udhëheq cilën komunë, apo cila parti udhëheq me cilën drejtori komunale të arsimit.

Të mbash fëmijët jashtë bankave të shkollës dhe jashtë objekteve shkollore, jo vetëm se është e padrejtë, por është e kundërta e vetë misionit të mësimdhënëses/it.

Për gjeneratat që kanë përjetuar shkollat/shtëpi e përpjekjet e jashtëzakonshme të mësimdhënësve vetëm e vetëm të mos ndërpritet procesi mësimor, arsyetimi se “50€ nuk janë sa kemi kërkuar, kërkojmë 100€ deri në miratimin e ligjit të pagave”, nuk është arsyetim i qëndrueshëm krahasuar me dëmin që po i bëhet fëmijëve dhe gjithë procesit mësimor.

Ka disa vite radhazi që 1 Shtatori fillon me të njejtin ankth: a do të ketë apo jo mësim se mund të kemi grevë.

Tash kur ka filluar procesi i diskutimit publik të Projektligjit për Pagat, kur dihet që brenda këtij viti shkollor pagat e mësimdhënësve do të jenë ato meritoret dhe të cilat pas tetë viteve do të reflektojnë ndryshimin e merituar, mohimi i të drejtës elementare për mësimnxënie dhe mësimdhënie, është destruktiv dhe me pasoja të rënda për nxënësit në mbarë Kosovën.

Andaj, apeloj tek drejtuesit e shkollave, mēsimdhënësit dhe gjithë personeli arsimor, filloni procesi mësimor nesër, mos e ndalni atë që ju garanton Kushtetuta e Ligji fëmijëve tonë. Mos i futni fëmijët në gërshërët e betejave politike e institucionale, kemi më shumē nevojë për dritë e dije se për bllokadë e stagnim!

Mësimi duhet të fillojë nesër, nxënësit duhet të ulen në bankat e shkollës aty ku e kanë vendin, jo në rrugë e jo në shtëpi me dëshpërim që ende nuk u gjet zgjidhje për ta!

Kujtojmë se SBAShK-u përkundër insistimit të Ministrisë së Arsimit qe të fillojë procesi mësimor, ka deklaruar se greva do të vazhdojë./Gazeta10 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.