
Gazetari i Kanal10, Kushtrim Sadiku, ka bërë të ditur emrat e personave, për të cilët dyshohet se mund të jenë në mesin e viktimave që lidhen me lokacionin ku po zhvillohen kërkime në Zubin Potok.
Sipas informacioneve fillestare të prezantuara nga Sadiku, përveç Adem Ademit, dyshohet se në këtë rast mund të jenë të përfshirë edhe Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Said Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkëlzen Ujkani, Tahir Mziu, Salim Mziu, Naser Mziu, Zymer Mziu, Selim Mziu, Shaqir Mziu, Samir Mziu, Bekim Mziu, Xhevdet Mziu dhe Xhemal Mziu.
Sadiku ka theksuar se të gjithë këta persona figurojnë si të zhdukur nga periudha e luftës në Kosovë, ndërsa numri i personave që mund të lidhen me këtë lokacion mund të jetë edhe më i madh.
Sipas tij, në mesin e emrave të përmendur është edhe ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Spahiu, i cili më pas kishte vazhduar jetën.
Gazetari i Kanal10 ka bërë të qartë se aktualisht bëhet fjalë për informacione fillestare dhe dyshime që janë duke u verifikuar nga institucionet përgjegjëse. Ai ka theksuar se ajo që është konfirmuar deri më tani është gjetja e mbetjeve mortore, përkatësisht e gjymtyrëve të trupave dhe kafkave.
Megjithatë, ende nuk mund të konfirmohet nëse këto mbetje mortore u përkasin 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Për këtë pritet vendimi përfundimtar i ekspertëve dhe analizat e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Nëse konfirmohet se në këtë lokacion ndodhet një varrezë masive me viktima të luftës, rasti do të përbënte një nga zbulimet më të rënda të viteve të fundit në Kosovë. Rastet e varrezave masive të lidhura me luftën në Kosovë janë regjistruar edhe më herët, përfshirë lokacione jashtë Kosovës si Batajnica dhe Petrovo Sello në Serbi.
Kanal10 do të vazhdojë të raportojë nga vendi i ngjarjes për zhvillimet e reja lidhur me këtë rast./Gazeta10
Video: