
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër.
Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.
Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi në Prishtinë, Lajçak tha se letra është tërhequr dhe marrëveshja është ende valide.
Ai po ashtu tha se kohë pas kohe ka deklarata që nuk ndihmojnë në zbatimin e marrëveshje.
“Jo, marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojmë në zbatimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin”, tha Lajçak.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë një konference për media, u pyet për deklarimin e Lajçakut.
Ajo tha se ishte në takim me homologun e saj turk, kur Lajçak deklaroi se Serbia ka tërhequr letrën e Bërnabiqit dhe nuk ka informacione konkrete për temën.
“Unë mendoj se zoti Lajçak e ka fjalën për një tërheqje të pjesshme të asaj letre të ish-kryeministres Bërnabiq, e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, gjë që është një qasje tërësisht e papranueshme për ne”, deklaroi ajo.