
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot në Beograd ka takuar përfaqësuesit e opozitës atje, pas takimit të djeshëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, raporton Gazeta10.
Lajçak me opozitën diskutoi për dialogun dhe planin evropian, siç shkruan Nova.rs, duke theksuar se emisari evropian tanimë i ka dëgjuar se cilat janë “vijat e kuqe” të Serbisë për marrëveshjen e mundshme me Kosovën.
Emisari i BE-së ka theksuar se kërkohet nga Serbia që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, siç e specifikon edhe Neni 4 i propozimit evropian për normalizim të raporteve.
Në këtë takim me opozitarët serbë, Lajçak ka treguar se Vuçiqi i ka thënë edhe kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron se “vijat e kuqe” të Serbisë janë anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.
Kujtojmë se në fund të muajit shkurt, Kurti dhe Vuçiqi patën një takim në Bruksel, ndërkohë që takimi i ardhshëm do të jetë më 18 mars në Ohër, ku temë diskutimi do të jetë plani i zbatimit të marrëveshjes./Gazeta10