
Raporti: Saranda Aliu
Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se javën e ardhshme Prishtinën do ta vizitojë i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miloslav Lajcak. Këto vizita janë shtuar pas zhvillime në veri dhe presioneve ndërkombëtare për arritje të marrëveshjes mes të dyja vendeve. Njohës të politikës e kanë vlerësuar vizitën e tij si shumë të rëndësishme, duke thënë se do të shtyhet para plani franko-gjerman.
I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet që gjatë javës së ardhshme të vizitojë Kosovën, e më 20 janar të takohet edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Vizitën e tij në Kosovë e kanë konfirmuar për televizionin nga Qeveria e Kosovës, nga e cila nuk kanë dhënë më shumë informacione.
Mirëpo, njohës të çështjeve politike thonë se vizita e tij është shumë e rëndësishme, për shkak se do të shtyjë përpara edhe më shumë planin franko-gjerman.
Drejtuesi i Institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndër etnike, Fatmir Sheholli ka thënë se se të gjitha sugjerimet që pala kosovare e ajo serbe i kanë dhënë rreth planit franko-gjerman, janë drejt finalizimit.
Sipas tij, zhvillimet që kanë ndodhur në veri të vendit e dorëheqjet e serbëve nga institucionet do të jenë temat kyçe të këtyre takimeve.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula ka thënë se gjatë vizitës së Lajçak mund të ketë propozime të reja për temat e vjetra, por jo edhe ndonjë dakordim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar të premten se më 20 janar e pret një takim i madh me Lajçakun. / Kanal10