
Lumir Abdixhiku – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka pranuar ftesën e Kryeministrit e Kosovë, Albin Kurti, për takimin informues rreth dialogut me Serbinë.
Takimi do të mbahet nesër, transmeton Gazeta10.
Sipas Abdixhikut, çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, prandaj edhe do ta do ta pranojë këtë ftesë.
“Qëndrimi ynë për dialogun është i qartë dhe i pandryshueshëm. Ne besojmë se dialogu është interes kombëtar i Kosovës, dhe jo prioritet i fundit, siç besoj ta ketë mësuar kryeministri tashmë. Besojmë se nëpërmjet dialogut Kosova duhet të arrijë drejt marrëveshjes finale me njohjen reciproke në thelb të saj. Po ashtu, besojmë se dialogu i copëzuar, për tema teknike e jo për kornizën e gjithmbarshme, është në interes të Serbisë edhe atëherë kur arrihen fitore të pjesshme për ne.“, ka shkruar ai.
Më tej, Abdixhiku ka thënë se kanë mbështetur vendimet që synojnë shtrirjen e ligjshmërisë e mbrojtjen e sovranitetit të vendit.
Dje, Kryeministri Kurti, u bëri thirrje liderëve të opozitës që të takohen për ta diskutuar marrëveshjen e arritur me Serbinë dhe pikat e tjera të dialogut. Ftesës pozitivisht i është përgjigjur edhe Ramush Haradinaj./Gazeta10