Fshati Lin në Pogradec shumë shpejt do të kthehet në një destinacion të ri të turistëve nga mbarë bota. Kjo vjen pas zbulimeve këtë javë të një vendbanimi palafit që është më i vjetri në Evropë. Arkeologët zviceranë dhe ata shqiptarë thonë se vendbanimi i Linit në Shqipëri është rreth 8500 vjeçar.
Rezultatet e gërmimeve mbi 4-vjeçare të arkeologëve shqiptarë dhe atyre nga Universiteti i Bernës kanë konfirmuar se vendbanimi palafit i Linit në Pogradec është më i vjetri në Europë, mbi 8500-vjeçar.
Albert Hafner, arkeolog nga Zvicra, thotë se ky është vendbanim që zhvillonte bujqësinë 8 deri në 9 mijë vjet më parë, që më pas është përhapur në Itali dhe në të gjithë Europën.
Sipas tij, ky vendbanim është rreth 2 mijë vjet më i vjetër se ato të gjetura në Zvicër.
“Njohuritë që kemi fituar në Zvicër do t’i zhvendosim këtu për të vijuar më tej me gërmime që të kemi më shumë të reja mbi vendbanimin më të vjetër në Europë. Ne duam të dimë data precise të këtij vendbanimi. Këtu është zhvilluar bujqësia që më pas është gjetur edhe në Itali dhe në gjithë Evropën”
Për arkeologun shqiptar Adrian Anastasi, ky është jo vetëm një zbulim i madh, pasi edhe rezultatet e kanë konfirmuar.
Ai shkon më tej kur thotë se të gjitha gjetjet mund të vendosen në Pogradec, apo edhe në forma digjitale në funksion të turizmit arkeologjik.
E pranishme në prezantimin e rezultateve, ambasadorja zvicerane në vendin tonë u shpreh e lumtur që Zvicra është pjesë e kërkimeve, ndërsa shtoi se këto gjetje mund të jenë një formë shumë e mirë për të thithur edhe më shumë turistë zviceranë.
Gërmimet në vendbanimin palafit të Linit tashmë po zhvillohen në ujë, pasi ai ka qenë i ndërtuar mbi drurë në tokë dhe liqen.
Ndërkohë, ka të dhëna se një vendbanim i tillë është edhe pranë kufirit aktual me Maqedoninë e Veriut./Gazeta10