
E ardhmja e Romelu Lukakut te Roma mbetet e paqartë pasi sulmuesi belg vazhdon të presë për një takim mes “Giallorossit” dhe Chelseat përpara se të marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij në “Stadio Olimpico”.
Lukaku është i huazuar te Roma deri në fund të sezonit, por “Giallorossi” nuk kanë një opsion për ta bërë lëvizjen e tij të përhershme në qershor.
Eksperti i transferimeve të “Football Italia”, Matteo Moretto, dha përditësimet më të fundit mbi transferimin e sulmuesit, duke thënë se Roma dhe Chelsea do të ulen para fundit të sezonit për të diskutuar të ardhmen e belgut.
Moretto shtoi se për sa i përket ofertave apo bisedimeve konkrete, nuk ka shumë tani për të huazuarin e Romës, i cili pritet të jetë i gatshëm të enjten kur “Giallorossi” përballet me Bayer Leverkusen në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Ligës së Evropës.
Lukaku po pret të shohë opsionet e tij dhe çmimin e kërkuar të Chelseat për një transferim të përhershëm. Raportet e mëparshme në Itali sugjeruan se “Blutë” do të kërkonin 42 milionë euro për ish-yllin e Interit në afatin kalimtar të verës 2024.