
E shtuna e 10 qershorit na sjell para ekranit finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, me Interin e Manchester Cityn që përballen me njëra-tjetrën.
“Ataturk Olympic” në Stamboll të Turqisë do të jetë terreni ku do këto dy klube do të zhvillojnë luftën e tyre për trofeun e çmuar të garës më të madhe për klube.
Interi luan për herë të gjashtë në një finale të këtij kompeticioni, gjersa Manchester City vetëm për herë të dytë. Të dy këto herë erdhën nën drejtimin e trajnerit Pep Guardiola.
“Neroazzurët” do të paraqiten në finalen e Stambollit pasi eleminuan në gjysmëfinale rivalin lokal, Milanin, teksa më herët në fazën eleminuese fituan ndaj dyshes portugeze, Benfica (çerekfinale) dhe Porton në 1/8 e finales.
Ndërkohë, “Qytetarët” triumfuan bindshëm ndaj Real Madridit me rezultat të përgjithshëm 5-1 në gjysmëfinale. Në fazën çerekfinale, të besuarit e Guardiolës fituan ndaj Bayernit, ndërsa në Round of 16 arritën të eleminonin Leipzigun.
Në historinë e tij, Interi ka fituar tri herë Ligën e Kampionëve, së fundmi në vitin 2010, kur në finale triumfuan ndaj Bayernit në “Santiago Bernabeu”.
Në anën tjetër, Manchester City asnjëherë nuk ka dalë fitues në këtë kompeticion.
“Cityzens” janë në rrugë të mirë për t’u kurorëzuar me tripletë, nëse arrrijnë fitore në duelin ndaj Interit, kështu duke u bërë vetëm klubi i dytë anglez me këtë arritje.
City këtë sezon arriti të fitojë Premier Leaguen për herë të tretë radhazi, mirëpo kjo nuk ishte e tëra. Gjatë fundjavës së kaluar, Manchester City doli fitues edhe në FA Cup, në finalen e luajtur ndaj rivalit nga i njejti qytet, Manchester United.
Fitimi i tripletës nuk është diçka e re për klubin nga qyteti i modës, pasi Interi po në vitin 2010, përpos Ligës së Kampionëve, fitues kishin dalur edhe në Serie A e në Kupën e Italisë.
Përpos synimit të trofeut në Champions, Interi më herët gjatë sezonit ka siguruar trofeun e Superkupës italiane dhe Kupën e Italisë.
Te kampi i klubit italian, mungesë e vetme do të jetë Dalbert, gjersa te ai anglez nuk do të ketë asnjë mungesë.
Ndeshja finale e Ligës së Kampionëve për sezonin 2022/23 fillon nga ora 21:00.