
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar për nënshkrimin e një memorandumi në mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas kësaj marrëveshje, një oficer serb do të vendoset për ndërlidhje në Departamentin e Shtetit.
“Memorandumi ka të bëjë me vendosjen e bashkëpunimit mes dy ministrive në lidhje me mundësinë që njerëzit tanë të përmirësohen dhe të fitojnë njohuri të reja brenda Departamentit të Shtetit. Kjo marrëveshje është një mundësi tjetër për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe. Shpresoj se kjo do të ndihmojë Departamentin e Shtetit për të kuptuar më mirë Serbinë dhe për të thelluar marrëdhëniet midis Beogradit dhe Uashingtonit. Ne planifikojmë që aranzhimi të fillojë në shtator ose tetor dhe secila të zgjasë deri në një vit”, tha Daçiq.
Siç raporton N1, Daçiq ka deklaruar se ka dallime në mes Beogradit dhe Uashingtonit, por se duhet të kenë marrëdhënie strategjike.
“Ne nuk mendojmë njësoj për shumë çështje, por duam marrëdhënie të mira strategjike me Uashingtonin”, tha Daçiç.
Ai po ashtu ka thënë se shkëmbimi ekonomik ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së është rritur dhe se vlera e tij vjetore ka kaluar një miliard dollarë.
“Pothuajse 32,000 njerëz punojnë në kompanitë amerikane në Serbi”, është shprehur Daçiq.
Memorandumin e ka nënshkruar Daçiq dhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.
Tutje Daçiq, tha se Beogradi do të presë me padurim vizitën e sekretarit amerikan të shtetit Anthony Blinken, e cila do të konfirmojë vendosmërinë e Uashingtonit për zhvillimin e marrëdhënieve partneriteti ndërmjet dy vendeve.
Po ashtu Daçiq ka theksuar se tani mirëpresin vizitën në Serbi të këshilltarit të Departamentit të Shtetit Derek Chollet më 12 janar./Gazeta10