
Të akuzuarit në rastin e njohur si “Stenta3”, në seancën e së martë deklaruan se në këtë fazë të procedurës dëshirojnë të mbrohen në heshtje.
Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi u ka bërë me dije të akuzuarve se janë në fazë të vendosjes nëse dëshirojnë të deklarohen apo të mbrohen në heshtje, po ashtu të njëjtit mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të dhënë fjalët përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”
Vlen të theksohet se në këtë seancë kanë qenë të ftuar dëshmitarët, të cilët në pyetjen e prokurores Bukurie Gjonbalaj deklaruan se qëndrojnë pranë deklaratave të tyre më parë në Prokurori.
Tutje, për dëshmitarët e tjerë Elife Bajraktari, Islam Gashi, Mirsad Istrefi, Muzafere Dauti, Sanije Ahmetovski, Remzi Begolli, Ajet Syla, Albertina Kadriu Gerguri, Miradije Mavriqi, Naim Arifaj dhe Nysret Peci, të cilët nuk ishin ftuar për të qenë prezentë në seancën e sotme, trupi gjykues me propozim të prokurores dhe pëlqimin e mbrojtjes së të akuzuarve ka nxjerrë aktvendim përmes të cilit deklaratat e tyre të dhëna më parë gjatë këtij procesi gjyqësor do të konsiderohen të lexuara.
Në këtë rast të akuzuar janë Ali Hocaoglu, Mahmut Çakmak, Raif Çavolli, Borche Petrovski, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Abdullah Tuna, Astrit Bakiqi, Driton Sylejmani, Arton Beqiri dhe Lulzim Brovina, si dhe tre persona juridik, përkatësisht spitalet private “International Medicine Hospital”, “Intermed” dhe “Doktor”.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat që kanë të bëjnë me veprat penale, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.
Aktakuza në këtë rast ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019
Të akuzuarit Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani dhe Arton Beqiri, pretendohet se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”, nga neni 429 i Kodit Penal.