Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ministrin e Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe, James Heappey, të cilin e ka njoftuar për avancimet e Forcës së sigurisë së Kosovës në implementimin e planit të tranzicionit.
Ndërsa, ministri i Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe, James Heappey, ka theksuar se Britania do të vazhdojë të përkrah Kosovën në realizimin e aspiratave në përfshirjen në organizata euroatlantike.
“Në takim u bisedua për realizmin me sukses të misionit bashkë-zbarkues të FSK-së përkrah forcave britanike në Ishujt Falkland, që kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe të ndërveprimit me forcat e shteteve partnere për të shërbyer në të ardhmen në misionet e paqes. Gjithashtu, u bisedua për mundësitë e radhës në realizmin e misioneve bashkë-zbarkuese të FSK-së përkrah forcave britanike”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në takim është biseduar edhe për trajnimet dhe edukimin e ushtarakëve të FSK-së në Mbretërinë e Bashkuar.
“Temë tjetër diskutimi ishte dhe investimi në industrinë e mbrojtjes dhe blerjen e pajisjeve ushtarake të cilat po bëhen përmes marrëveshjeve shtet më shtet, sipas standardeve të NATO-s dhe në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Gjatë takimit, Ministri Mehaj shprehu gatishmërinë e tij që FSK të ofrojë ndihmë në Ukrainë, ne veçanti në ofrimin e trajnimeve për forcat ukrainase, me ç’rast u përgëzua nga Ministri britanik, Heappey”, është bërë e ditur në komunikatë.
Gjatë ditës, ministri për Forcat e Armatosura i Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, është pritur në takim edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Albin Kurti.
Heappey ka theksuar mbështetjen për Kosovën për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe NATO.