
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në një reagim shpreh keqardhjen që në aktivitetin e zhvilluar dje në Pustec, ku mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Mickoski, nuk u luajt edhe himni kombëtar shqiptar, krahas atij të RMV.
Në deklaratë theksohet se mospërfshirja e himnit shqiptar është një mungesë serioze dhe shmangie e rregullave të mirësjelljes dhe protokollit.
“Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë. Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi”, thuhet në deklaratë.
“Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme. Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona”, vijon deklarata e MEPJ.