
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka nderuar sot figurën e Isa Boletinit në 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin e tij në lëvizjen kombëtare dhe organizimin e forcave të para të mbrojtjes së shtetit shqiptar.
Ai në një mesazh në rrjetet sociale e ka cilësuar Isë Boletinin si simbol të qëndresës kombëtar dhe përkrahës të Ismail Qemalit.
“Në rrugëtimin historik të vitit 1912, Isa Boletini përfaqësonte Kosovën dhe mishëronte një të vërtetë të madhe historike: ideali i Pavarësisë nuk kufizohej brenda kufijve të shtetit shqiptar, të përcaktuar më vonë nga fuqitë e mëdha, por ishte aspirata për liri e një kombi të tërë, e shqiptarëve kudo ku jetonin në trojet e tyre në Ballkan”, ka thënë ministri Nufi.
Duke përkujtuar se kontributi i tij nuk përfundoi me Shpalljen e Pavarësisë, ministri Nufi thotë se Isë Boletini si organizator i forcave të armatosura në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës dhe themelues i Gardës së parë Kombëtare, kontribuoi në hedhjen e themeleve të mbrojtjes së shtetit shqiptar.
“Nëse Ismail Qemali mishëron vizionin politik dhe urtësinë diplomatike të themelimit të shtetit shqiptar, Isa Boletini mishëron forcën, guximin dhe sakrificën e atyre që luftuan për ta bërë të mundur atë.
Në këtë 114-vjetor të Pavarësisë, Ministria e Mbrojtjes nderon veçanërisht figurën e Isa Boletinit, si një prej figurave themelore të historisë sonë ushtarake dhe mishërim të virtyteve më të larta të luftëtarit shqiptar: nderit, besës, trimërisë dhe përkushtimit ndaj atdheut. Sepse Pavarësia u shpall në Vlorë, por për të ishte luftuar në mbarë trojet shqiptare”.