
Ndërsa, problem gjatë këtij viti ishte edhe sigurimi i barnave dhe materialeve shpenzuese.
Nga xhepi i tyre pacientët u desh që të sigurojnë vet medikamentet të cilat nuk u gjendën as në QKUK, as në spitale e as në Qendra të Mjekësisë Familjare.
E barrën e pacientëve e rëndoi edhe mungesa e shumë shërbimeve shëndetësore, si rrjedhojë, qytetarët u detyruan që të kërkojnë trajtim jashtë vendit.
Por që për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, shumë prej tyre morën trajtimin me vonesë, për shkak se mbetën në listat e gjata të pritjeve në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Pjesë e këtyre listave ishin edhe dhjetëra pacientë që prisnin që nga viti 2020 për t’iu lëshuar një pjesë e fondeve për trajtim në institucionet private brenda dhe jashtë vendit.
Ndërsa, për shkak dyshimeve për keqpërdorime, Fatmir Plakiqi u shkarkua nga posti i drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Për problemet që përcollën shëndetësinë gjatë këti viti disa herë u diskutua edhe në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, ku edhe nuk munguan përplasjet mes pushtetit e opozitës.
Nga opozita kritikuan ekzekutivin derisa thanë se e ka lënë anash këtë sektor.
Përkundër premtimeve të vazhdueshme, sektori i shëndetësisë me një buxhet prej rreth 200 milionë eurove, edhe gjatë vitit 2022 u la jashtë “binarëve./Gazeta10