
Besian Mustafa – Deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar pasi ra nga funksioni Blloku A3.
Mustafa përmes një postimi në Facebook, tha se blloku A5, po ashtu është jashtë funksionit që nga 19 korriku për shkak se nuk i bëhet remoni kapital, transmeton Gazeta10.
“Blloku B2, 270 MWh, është dashur të kthehej në funksion pardje, por është ende jashtë funksionit. KEK, pra, nuk po prodhon as gjysmën e kapacitetit të tij, me 530 MWh jashtë prodhimit”, shkroi ai ndër të tjera.
Sipas Mustafës, qytetarët në Prishtinë janë kthyer 25 vjet prapa, dhe po i presin drunjtë për ngrohje
“Energji duket se nuk do të ketë, e pa energji nuk do të kenë as ngrohje nga Termokosi. Lusim qytetarët ta kursejnë energjinë elektrike dhe të mundohen të bëjnë vet zgjidhje për ngrohje. Qeveria i ka braktisur”, tha ai.
Gjatë ditës së sotme, KEDS njoftoi se KOSTT-i i ka kërkuar që të bëjë kufizime emergjente të energjisë elektrike, pasi ka rënë nga sistemi njësia A3./Gazeta10