Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafi ka folur rreth pritshmërive të takimit të Kurtit dhe Vuçiqit në Ohër, duke theksuar vazhdimisht që në këtë marrëveshje duhet përfshirë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe t’u jepen të drejta po aq sa serbëve në Kosovë, raporton Gazeta10.
Mustafi, ka theksuar se qasja diskriminuese e Serbisë e ka zvogëluar përfaqësimin e shqiptarëve në Serbi dhe se tani janë në gjendje më të vështirë se shumë vite më parë.
“Po qasja diskriminuese e Republikës së Serbisë në vazhdimësi ka degraduar situatën në Luginën e Preshevës, madje tashmë pas 10 vjete pozita e shqiptarëve është më e vështirë se sa që ishte para 10 vjete. Sot nuk ka asnjë prokuror e as zëvendësprokuror shqiptarë, sot qendrat shëndetësore në Preshevë e Bujanoc udhëhiqen nga komuniteti serb, në qendrat shëndetësore në Vranjë nuk ka asnjë shqiptar. Në organet ligj zbatuese si prokuroria, policia, gjyqësia ka zvogëlim të numrit të përfaqësuesve të shqiptarëve nëpër këto institucione. Në nivel të rrethi fqinjë janë të përfaqësuar 2.7% në gjykatë, në nivel të policisë vetëm në Bujanoc janë vetëm 30%, ka një degradim dhe mos përfshirje e mos integrim dhe nuk mund të flasim fare për rimëkëmbjen ekonomike dhe kthimin e popullatës së zhvendosur.”, ka thënë Mustafi.
Përfaqësuesi i shqiptarëve të Luginës, ka thënë se Serbia po e bën një spastrim etnik të shqiptarëve përmes mjeteve administrative,
“Madje me pasivizimin e adresave që edhe komuniteti i Helsinkit në Beograd e ka potencu që është spastrim etnik duke përdorur mjetet administrative. Është e domosdoshme që çështja e Luginës të jetë në këto marrëveshje, për shkak të gjendjes së keqe të shqiptarëve këtu dhe injorimit total të shqiptarëve nga shteti serb.”, ka përfunduar ai./Gazeta10