Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Nagavci flet për plagjiaturat në UP, shprehet e shqetësuar

Gazeta10
05 Gusht 2022 - 13:56

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me rastet për plagjiatura të personelit akademik të Universitetit të Prishtinës, raporton Gazeta10.

Nagavci ka thënë se mirëpret shqyrtimin e rasteve nga Këshilli i Etikës por ka konsideruar se masat e shqiptuara nuk janë adekuate dhe se të njejtat duhet të rishikohen.

Tutje, Nagavci ka thënë se gjendjen në Universitetin e Prishtinës nuk e kemi të mirë dhe se kjo është evidentuar së fundmi.

Nagavci ka përshkruar se si duhet të jetë stafi akademik teksa ka premtuar se do të ketë angazhim për ta përmirësuar gjendjen e universitetit.

Këtu keni statusin e saj:

“Me shqetësim kam pranuar njoftimet për verifikim të rasteve të plagjiaturës nga ana e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës.

Ndonëse plagjiatura konsiderohet si forma më e rëndë e shkeljes së etikës akademike, jam e vetëdijshme se trajtimi i denoncimeve për plagjiaturë nga organet përkatëse të institucioneve akademike është sfidues.

Mirëpres shqyrtimin e rasteve nga Këshilli i Etikës të UP, por konsideroj se masat e shqiptuara të pezullimit nga mentorimi i punimeve të diplomës nuk janë adekuate, sepse nuk shpërfaqin gjykimin shoqëror në raport me praktikat e tilla brenda komunitetit akademik dhe nuk i dekurajojnë ato.

Andaj pres nga organet përgjegjëse të Universitetit që t’i rishikojnë masat e shqiptuara nga Këshilli i Etikës, duke siguruar respektimin e standardeve të ndershmërisë akademike brenda institucionit.

Si Ministre e Arsimit do t’i drejtohem Këshillit Drejtues të UP-së me kërkesë që të gjitha organet e universitetit t’i trajtojnë me seriozitet këto dhe rastet e ngjajshme.

Me Projektligjin e ri për arsimin e lartë, i cili së shpejti do të jetë në diskutim publik kemi paraparë masa të veçanta për parandalimin e të gjitha formave të cenimit të integritetit akademik, përmes formimit të Komitetit Etik në nivelin qendror, si dhe obligimit që të gjitha institucionet e arsimit të lartë të kenë këshilla të etikës.

Po ashtu, Projektligji parasheh një afat të arsyeshëm brenda të cilit i gjithë personeli akademik duhet të jetë në gjendje t’i arsyetojë thirrjet akademike, në pajtim me standardet e përcaktuara me ligj.

Gjendjen në Universitetin e Prishtinës nuk e kemi të mirë dhe kjo është evidentuar së fundmi edhe në ranglistën prestigjioze “Ëebometrics”, sipas të cilës vazhdon rënia e UP-së në rangim. Kjo është e papranueshme dhe s’mund të vazhdojë. Urgjentisht duhet të bëjmë ndryshime që të përmirësojmë këtë gjendje.

Stafi akademik duhet të jenë persona me integritet e kredibilitet të lartë profesional e personal. Andaj dhe angazhimi ynë për të përmirësuar këtë gjendje do të jetë këmbëngulës e pa hezitim”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e saj në Facebook. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.