
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar që Presidenti i Republikës së Kosovës të zgjidhet sa më shpejt, duke e cilësuar këtë proces si një nevojë urgjente për vendin.
Në një postim, Nagavci ka theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe institucione me mandat të plotë.
“Sot Kosovës i duhet Presidenti. Vendi ynë ka nevojë për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe institucione me mandat të plotë”, ka shkruar ajo.
Nagavci ka ndërlidhur zgjedhjen e Presidentit edhe me zhvillimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e së vërtetës për luftën e UÇK-së.
“Në një kohë kur mbrojtja e së vërtetës për luftën e UÇK-së kërkon veprim të koordinuar juridik, politik dhe diplomatik, Republika ka nevojë për përfaqësim të fuqishëm dhe institucione funksionale”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka bërë thirrje që procesi i zgjedhjes së Presidentit të mos shtyhet më tej, duke vlerësuar se një President i zgjedhur do t’i sillte vendit më shumë stabilitet dhe siguri institucionale.
“Për këtë, na duhet t’ia japim vendit Presidentin sot. Një President i zgjedhur do t’i sillte Kosovës stabilitet dhe siguri institucionale. Kjo vendimmarrje nuk mund të shtyhet më tej”, ka shkruar ajo.
Në fund, Nagavci ka theksuar se përgjegjësia për këtë proces bie mbi institucionet dhe deputetët.
“Kjo përgjegjësi është sot para nesh”, ka përfunduar ajo.