
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka vizituar një shkollë ku ka filluar mësimi dhe ka ftuar edhe mësimdhënësit e tjerë ta bëjnë të njejtën gjë, raporton Gazeta10.
Nagavci ka thënë se ministria që ajo drejton është e përkushtuar që të trajtojë me vëmendje problemet e mësimdhënësve.
Nagavci ka thënë se Projektligji për paga do të dalë në debat publik.
Tutje, Nagavci ka kërkuar nga punëtorët e arsimit mirëkuptim për situatën që është aktualisht.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Jemi të përkushtuar që të adresojmë secilën vështirësi me të cilën ballafaqohen mësimdhënësit në Kosovë, krahas punës që po bëjmë në përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e politikave arsimore
Këtë e po e theksojmë vazhdimisht gjatë vizitave të përditshme në shkolla, ku bashkë me zëvendësministrat e Arsimit dhe zyrtarët tjerë të Ministrisë po bashkëbisedojmë me mësimdhënësit, por edhe me prindërit, për shqetësimet e tyre.
E kemi fokusuar bashkëbisedimin me mësimdhënënësit te politikat e reja në mbështetje të tyre, në mënyrë që të tejkalojmë secilën vështirësi së bashku, sikur që është tejkaluar ajo e mësimdhënësve me probleme serioze shëndetësore dhe nuk ka më asnjë mësimdhënës që i duhet të dalë në punë sepse i nevoitet paga për të blerë ilaçe.
Edhe një herë përgëzoj shkollat dhe mësimdhënënsit që kanë filluar mësimin dhe kërkoj nga të gjithë mësimdhënësit e Kosovës që të mirëkuptojnë situatën, tashmë kur ata dhe familjet e tyre do të përfitojnë nga Pakoja e ndihmave financiare.
Theksoj se, në Projektligjin për paga i cili ka dalë në debat publik, janë marrë për bazë të gjitha kërkesat, duke u trajtuar me kujdes të veçantë të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit.
I siguroj mësimdhënësit se do të adresohet vazhdueshëm çdo shqetësim i tyre dhe bashkërisht të evitojmë të gjitha vështirësitë për të arritur kështu që të kemi mirëqenie të mësimdhënësve dhe ngritje të cilësisë në arsim”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e saj në Facebook.
Kujtojmë se punëtorët e arsimit në Kosovë janë në grevë pothuajse dy-javore meqë Qeveria e Kosovës nuk ka plotësuar kërkesat e tyre.
Ministria e Financave ua kishte ndalur pagat grevistëve por më pas është tërhequr nga ky vendim pasi kishte një reagim të ashpër dhe të madh nga subjektet opozitare dhe shoqëria civile.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kreun e SBAShK-ut, Rrahman Jasharajn, por ky takim ishte mbyllur pa rezultate meqë palët nuk kishin lëvizur nga qëndrimet. / Gazeta10