
“Reforma në Drejtësi”, është dokumentari i cili është mundësuar nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe që është publikuar para pak çastesh në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun në Kanal 10.
Në këtë dokumentar janë vë në pah sfidat në sektorin e drejtësisë dhe ballafaqimi i qytetarëve për të kërkuar të drejtat e tyre.
Nexhat Sadiku ka 40 vite që përballët nëpër gjykata për një tokë për të cilën pretendon se në mënyrë të kundërligjshme iu kishte tjetërsuar para luftës, e që pas përfundimit të luftës e njëjta iu transferua një personi përmes dokumenteve të falsifikuara.
“E kom vazhduar menjëherë mas luftës e kam gjet lëndën në Gjykatën e Qarkut dhe masandej e kanë vendos që lëndën me procedua Gjykata Komunale tash Themelorja edhe aty nja tri seanca janë mbajt prej vitit 2004 deri në vitin 2010 dhe është prolonguar lënda deri sa është formuar Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme, për me i zgjidh çështjet për toka shoqërore edhe neve nuk na kanë thirr deri në vitin 2010. Mandej në vitin 2010 e kemi bë padinë në Odën e Veçantë e Gjykatës Supreme dhe nuk na kanë thirr deri vitin 2017. Atëherë në vitin 2022 ne e kemi kuptuar që prona jonë është bartë në vitin 2014-2015 brenda 9 muajve tek një tjetër pronarë. Prokuroria e ka bërë padinë në gjykatën themelore sepse ka filluar hetimet lidhje me falsifikimin e dokumenteve edhe pse dihen me emër dhe mbiemër dy të etiketuari që e kanë bërë falsifikimin, njëri është në arrati dhe tjetri është në arrest shtëpiak. Gjykata Themelore iu jep të drejtën për me vazhduar ndërtimin e banesave. Gjykata e Apelit bjen vendim për Gjykatën Themelore që lënda të kthehet në rivendosje. Tri herë Gjykata Themelore nuk vendos sipas referencës së Gjykatës së Apelit, por ua lejon përsëri më vazhduar ndërtimin”, ka thënë Nexhat Sadiku.

Në këto rrethana që në pronën që Nexhat Sadiku pretendon se është e tija është në ndërtim e sipër një objekt gjigant. Aty po shiten banesa derisa lënda për tokën është ende në procedurë gjyqësore. /GAZETA10/