
Nëna e Liridona Ademajt, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, ka shprehur ngushëllimet për familjen e Arlinda Zekës, duke ndarë dhimbjen e saj si nënë që ka përjetuar humbjen tragjike të vajzës.
Mesazhin e saj e ka publikuar Leonardi, vëllai i Liridonës, duke përcjellë fjalët e nënës për familjarët e Arlindës.
“Ngushëllime nga zemra familjarëve të Arlindës. Si nënë që e kam përjetuar dhimbjen më të madhe në jetë, humbjen e vajzës sime nga krimi, e di mirë se çfarë do të thotë kur ta marrin fëmijën e ta copëtojnë zemrën përgjithmonë.
Kur e mora vesh se edhe një çikë e Kosovës, Arlinda, u bë viktimë e vrasjes, m’u rihapën plagët e shpirtit dhe m’u copëtua zemra përsëri.
Vetëm drejtësia e shpejtë mund t’i ngushëllojë familjarët”, thuhet në mesazhin e saj.
Përmes këtyre fjalëve, nëna e Liridonës ka shprehur solidaritetin me familjen e Arlindës, duke rikujtuar dhimbjen e papërshkrueshme që lë pas vrasja e një vajze dhe rëndësinë e drejtësisë për familjet e viktimave.